Gazeta Si – Në bilancin e punës së kryer në tetor, SPAK njofton se në një muaj janë paraqitur 9 kallëzime penale, nga të cilat për 5 kallëzime është vendosur mosfillimi i hetimeve.
Po ashtu janë regjistruar 9 procedime penale, nga të cilat, 1 procedim për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 8 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin.
Sipas njoftimit, SPAK ka dërguar për gjykim 8 procedime penale me 70 persona të pandehur, nga të cilat, 2 procedime me 20 të pandehur për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 6 procedime me 50 të pandehur për vepra penale që lidhen me korrupsionin.
Nga ana tjetër janë vënë në ekzekutim 4 letërporosi të ardhura nga autoritetet e huaja gjyqësore dhe janë dërguar 2 letërporosi për ekzekutim autoriteteve të huaja. Sakaq janë sekuestruar 2 subjekte tregtare, 3 pasuri të luajtshme të llojit automjet, 3 pasuri të paluajtshme, nga të cilat, një sipërfaqe toke prej 1809 m² dhe 2 objekte.
Janë ekzekutuar 6 vendime penale të formës së prerë, nga të cilat 2 vendime të dhëna nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin dhe 4 vendime nga të dhëna nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Në zbatim të vendimeve të formës së prerë janë nxjerrë urdhra ekzekutimi për 19 persona të dënuar.
Sa i takon garës për kreun e ri të SPAK-ut, emrat që kanë hedhur kandidaturën janë prokurorët Adnan Xholi, Edvin Kondili dhe Altin Dumani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




