Në anomalinë e përhershme të politikës shqiptare, Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 2017-s e nisi punën në një klimë normale. PS fitoi zgjedhjet, Ilir Meta mori edhe zyrtarisht postin e Presidentit, LSI iu bashkua PD-së në opozitë dhe që të dyja hynë në Kuvend.
Klima relativisht e qetë do të prishej shpejt dhe kryesisht sa herë që në mes të palëve ishte ndonjë çështje që kishte të bënte me reformën në drejtësi. Nga opozita akuzonin PS se synonte kapjen e drejtësisë, nga mazhoranca akuzonin opozitën se nuk donte reformën në drejtësi.
Përplasja u përshkallëzua edhe më tej me përfshirjen në mes edhe të çështjeve të tjera, siç ishte ligji special i 2018-s i miratuar për ndërtimin e teatrit të ri dhe tenderi për ndërtimin e Unazës së Re nga aksi Pallati me Shigjeta-Rrethrrotullimi Shqiponja.
LEXO EDHE:
– Fjala e fundit e opozitës parlamentare: Treguam se djegia e mandateve s’ka vend! Rama-Basha janë bashkë
– Seanca e fundit e Kuvendit, Ruçi bën bilancin: Legjislaturë efektive, ngritëm institucionet e reja të drejtësisë
PD akuzonte Qeverinë për afera korruptive në të dyja këto raste, ndërsa nga mazhoranca përgjigjeshin se PD e LSI kundërshtonin çdo punë të mirë që po bëhej në vend.
Kulmi i përballjeve mbërrin në fund të 2018-s, kur bëhen publike përgjimet e dosjeve për shitblerjen e votave në Shijak dhe në Dibër. Përgjimet u publikuan nga gazeta gjermane “Bild”. Vendi ishte pak muaj nga zgjedhjet vendore të 2019-s. Me daljen e këtyre përgjimeve, PD e LSI nisën të përforcojnë kërkesën se me Edi Ramën Kryeministër nuk mund të mbaheshin zgjedhje të lira e të ndershme.
Nisi fushata e bojkotit të punimeve të Kuvendit, ndërsa në fillim të 2019-s kishte zëra që kërkoni djegien e mandateve. Zërat ishin të izoluar dhe askush nuk e mendonte se opozita do të shkonte deri në këtë hap ekstrem.
Në fillim të shkurtit, Lulzim Basha thirri një protestë në Tiranë, kundër asaj që e cilësonte qeveri të oligarkëve dhe të lidhur me krimin me të cilën nuk mund të mbaheshin zgjedhje të lira e të ndershme. Pjesëmarrja në këtë protestë e bindi Bashën dhe aleatët e tij që të ndërmerrte vendimin ekstrem: djegien e mandateve.
Më 18 shkurt mandatet u dogjën, opozita e cilësoi Kuvendin ilegjitim dhe Basha artikulonte gjithmonë e më shpesh kërkesën për zgjedhje të reja. Por, llogaritë siç duket nuk ishin bërë mirë me ata që ndodheshin në listat e kandidatëve jofitues të zgjedhjeve të 2017-s. Veç Myslim Murrizit, Rudina Hajdarit nga PD dhe Lefter Kokës nga LSI që nuk iu bindën vendimeve politike për djegien e mandateve emrat që pranuan të hynin në Parlament për të zënë karriget e lëna bosh po shtoheshin çdo ditë.
Në fund, u zëvendësuan 38 mandate, duke e çuar Kuvendin në një numër total prej 122 deputetësh, nga 140 që duhet të kishte. 18 mandate mbetën bosh deri në fund të kësaj legjislature. Zëvendësimi i këtyre mandateve, vec kritikave për numrin, pasoi edhe ato për cilësinë e këtyre zëvendësimeve. Ndërkohë, pavarësisht se hynë në Kuvend me votën e opozitës, 80-85 për qind e deputetëve të rinj nuk u sollën asnjëherë si opozitarë. Ata miratuan çdo ligj të propozuar nga Qeveria, apo mazhoranca.
Instituti i Studimeve Politike ka bërë një bilanc mbi votën e deputetëve të opozitës formale në Parlament, që prej 2019-s, kur morën mandatet e deri në seancën e fundit të këtij Kuvendi, që u mbajt më 7 korrik.

Sipas vrojtimit të ISP-së, asnjë nismë ligjore e Qeverisë, apo mazhorancës socialiste pas djegies së mandateve nuk është miratuar me më pak se 77 vota, aq sa kishte zyrtarisht Partia Socialiste, ku 74 mandate mori nga zgjedhjet e 2017-s dhe tre të tjerë iu bashkëngjiten më vonë deputetët e PDIU-së.
Me 78 deri në 89 vota janë miratuar 31 për qind e ligjeve dhe akteve të Kuvendit, ndërsa me 90 dhe 99 vota, përfshirë këtu edhe vendimin për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta Kuvendi ka miratuar 69 për qind të akteve, ose dy të tretat e tyre.
Gjithashtu, për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe më vonë të pandemisë, Kuvendi që sapo mbylli punimet do të mbahet mend edhe si Kuvendi që noterizoi aktet normative me fuqinë e ligjit të Qeverisë. Në total janë kaluar 78 akte normative, që kryesisht kishin të bënin me rindërtimin dhe përballimin e pasojave të pandemisë, por edhe akte normative të dyshimta, si ato për ndryshimin e ligjit për buxhetin e shtetit dhe ai për rritjen e borxhit publik.
Gjithsesi, asnjëri prej 78 akteve normative nuk u rrëzua nga Kuvendi, por u miratuan dhe në pjesën dërrmuese të tyre pa asnjë vërejtje nga deputetët, as nga ata të opozitës. Sipas ISP, opozita e reale në Kuvend u katandis në këtë periudhe me 4-5 deputetë.
Shifrat e akteve të miratuara tregojnë se edhe këtë herë Qeveria iu imponua Kuvendit, pavarësisht se në një demokraci të plotë funksionale duhet të ndodhë e kundërta. Sipas bilancit të Gramoz Ruçit, Kuvendi që mbylli punimet ka miratuar 487 akte, nga të cilat 424 kanë qenë propozime të Qeverisë dhe vetëm njëri propozim i një deputeti dhe 20 mijë zgjedhësve, që bëhet fjalë për hapjen e listave sipas kërkesës së Nismës Thurje të mbështetur nga deputetja Rudina Hajdari.
Kuvendi aktual theu edhe një “tabu” tjetër, që legjislaturat paraardhëse e kishin vendosur si traditë në fund të mandateve të tyre. Në fundin e legjislaturës 2009-2013 PD mezi siguroi 71 mandate duke marrë 2-3 nga e majta për të zgjedhur si President Bujar Nishanin dhe miratuar disa ligje. Në 2001-2005, thotë ISP, PS e mbylli legjislaturën me një mazhorancë me 70-72 vota të sigurta, pra në limitet e numrit kushtetues.
Në 2017-n situata ndryshon disi për shkak të lëvizjes së LSI-së nga mazhoranca në opozitë. Rama e humbi shumicën, por kreu i LSI-së në atë kohë, Ilir Meta deklaroi se nuk do të kërkonte mocion mosbesimi për të dhe se do të mbështese në Parlament nismat ligjore të Qeverisë.
Nga të gjitha këto raste, legjislatura aktuale përbën përjashtim, ashtu siç përbën përjashtim djegia masive e mandateve nga opozita.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.