Gazeta Si – Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka raportuar këtë të premte bilancin e punës gjatë vitit 2023.
Ai tha se është për t’u vlerësuar fakti se janë hequr rreth 24 mijë dosje të vjetra dhe nëse mbyllen edhe dosjet e viteve 2017-2018, puna e gjyqtarëve do të jetë më e lehtë.
“Të gjitha çështjet që kanë impakt publik, do kenë përparësi në shqyrtim. Kemi arritur të heqim 24 mijë çështje, jam i bindur që do duhet një 2 vjeçar për shqyrtimin e dosjeve të depozituata. Nëse arrijmë të heqim fluksin më të madh të dy viteve, 2017 dhe 2018, çështjet e tjera do kalojnë më shpejt”, – -tha Sokol Sadushi gjatë konferencës për mediat.
Sadushi tha se tre vite më parë Gjykata e Lartë gjendej në kolaps të plotë, ndërsa shtoi se në 2023 janë dhënë 7.848 vendime gjyqësore dhe janë ulur çështjet e prapambetura.
“Shumë shpejt do të konstatoni se pasi të kemi përfunduar shqyrtimin e çështjeve që i përkasin viteve 2017-2018, si vitet me numrin më të lartë të çështjeve të regjistruara, nuk do të ketë çështje që tejkalojnë afatet e arsyeshme të gjykimit. Mjafton t’i referohemi numrit të vendimeve të dhëna nga viti 2020, për të qenë besimplotë se për një periudhë afro dy vjeçare, prej 24.000 çështjesh do të konsiderohet si një reminishencë e të shkuarës”, theksoi ai.
Ai shtoi se nga 7.848 vendime gjyqësore, 2.931 i përkasin Kolegjit Administrativ, 2.689 vendime të Kolegjit Civil dhe 2.228 vendime të Kolegjit Penal.
Referuar këtyre të dhënave, Sadushi thotë se çdo gjyqtar ka mbajtur për këtë vit një ngarkesë prej afro 440 vendime në vit, të cilën e quan një shifër rekord.
“Çështjet me interes publik janë trajtuar me përparësi. Duke parë në balancë këtë situatë mes individitet dhe çështje me interes, Gjykata e Lartë i trajton me përparësi. Do synojmë cilësi dhe kjo do shkojë në kurriz të sasisë. Duke pasur parasysh jemi trup me 18 gjyqtare, ritmi do të jetë shumë më i lartë”, – vijoi ai.
Kryetari i Gjykatës së Lartë u shpreh problematikë shqetësuese është numri i lartë i rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë.
“Përherë e kam evidentuar si një problematikë shqetësuese numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë. E ndarë sipas fushave, për vitin 2023 nuk e kalojnë këtë test 36% e rekurseve në Kolegjin Civil, 70% në Kolegjin Administrativ dhe 70% në Kolegjin Penal. Moskalimi i testit të pranueshmërisë adreson shqetësimin tek avokatët privat, Avokatura e Shtetit dhe prokuroria. Është e papranueshme për ata që prezumohet se kanë njohuri për ligjin, të vijojnë të paraqesin rekurse haptazi të pabazuara. Duhet të kuptohet qartë se përfundimi që nxjerrë Gjykata e Lartë për një rekurs haptazi të pabazuar nuk ka ndonjë dallim nga rasti, kur evidentohet kryerja e një veprimi abuziv nga avokati apo përfaqësuesi i shtetit, të cilët nuk mund dhe nuk duhet lënë pa u ndëshkuar, si nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ashtu edhe nga Avokatura e Përgjithshme e Shtetit”, – deklaroi ai.
Gjithashtu Sadushi u shpreh se drejtësia shqiptare është në shkelje për gjykimin e çështjeve tej afatit të caktuar dhe se kjo është një fakt, i cili nuk mund të fshihet.
“E ka marrë Shqipëria një goditje nga Gjykata e Strasburgut ku ka evidentuar gjykimin e çështjeve tej afatit të caktuar. Vetë gjykata e Strasburgut e ka pranuar situatën në të cilën është Shqipëria, por nuk mund të justifikohet që qytetari të mos marrë një përgjigjë. Nga ai moment kanë vënë re një tendencë pozitive nga ana e sistemit të drejtësisë për të shkuar drejt një ulje të numrit të çështjeve. Gjithsecili nga gjyqtarët ka përgjegjësinë e vetë për të bërë maksimumin e mundshëm që çështja të gjykohet brenda afatit. Unë e thashë në jemi në shkelje për gjykimin e çështjeve tej afatit, dhe nuk kemi pse ta fshehim, sepse është një fakt, por ka edhe një problematik, ama ka edhe një lloj angazhimi maksimal të sistemit të drejtësisë për të shkuar drejt një ulje të këtyre çështjeve që po i tejkalojnë afatin e shqyrtimit të tyre”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.