Drejtësia

Bilanci dyvjeçar i SPAK, Kraja: Mos prisni revolucion nga ne! Soreca: Frika ka kapur politikanë e kriminelë

Duke bërë një bilanc të shkurtër të punës dyvjeçare të Prokurorisë së Posaçme, kreu i SPAK, Arben Kraja tha se besueshmëria e qytetarëve është rritur te struktura që ai drejton, ndërsa duke iu përgjigjur kritikave kërkoi që të mos pritet revolucion nga prokurorët.

“Sot Kemi besueshmërinë në rritje. Po duhet theksuar se ne jemi prokurorë. Nuk bëjmë as revolucion, nuk jemi as analistë. Jemi përfaqësues të shtetit dhe zbatues të ligjit. Veprimtaria jonë është e bazuar në ligj dhe prova për të ndëshkuar këdo që ka shkelur ligjin dhe për të ndryshuar mentalitetin e konceptit të pandëshkueshmërisë, që ka 30 vite që ekziston dhe nuk mund të ndryshohet për 1-2 vite”, u shpreh ai.

Kraja foli gjatë ceremonisë së dorëzimit të certifikatave për hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, konsideruar si “krahu i djathtë” i Prokurorisë së Posaçme. Kreu i SPAK nënvizoi rëndësinë që kanë hetuesit në punën e prokurorëve.

“Hetuesit e rinj na kanë ndryshuar komplet mënyrën e punës, aq sa s’kemi as letra më ngaqë është shtuar ritmi i punës”, deklaroi ai.

Sipas Krajës, në dy vite SPAK ka ndërmarrë 891 procedime penale që lidhen me akuzat e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe ambasadorët e SHBA dhe BE. Përveçse theksuan zotimin se do të vazhdojnë të mbështesin SPAK edhe vitin e ardhshëm, Yuri Kim dhe Luigi Soreca vlerësuan punën e bërë deri më tani në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“SHBA përgëzon punën tuaj. Është domethënës që SPAK dhe BKH janë këtu sepse vetëm së bashku mund të merrni përsipër hetimin e atyre që dëmtojnë të tjerët për të pasuruar veten. Ky bashkëpunim e bën SPAK të fuqishëm. 2021 ka qenë pikë kthese kundër krimit të organizuar. BKH hap një kapitull të ri të institucioneve të pavarura”, tha Ambasadorja Kim.

“Një bilanc domethënës po ndërtohet për ndjekjet penale dhe dënimet për korrupsionin në nivelet e larta. Një gjë është e sigurt, frika ka kaluar në anën tjetër, se më parë ishte në anën e prokurorëve që ishin nën trysninë e politikanëve dhe kriminelëve”, tha Soreca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë