Nga Gazeta Si- Të rinjtë shqiptarë po mundohen të bëjnë muskuj në çdo mënyrë, një dëshirë që nuk ka kurrë të ngopur, duke dëmtuar kështu shëndetin fizik por edhe mendor.
Mes shumë problematikave që kanë sot fëmijët e rrjedhimisht edhe prindërit, ekspertët tregojnë për Gazetasi.al se kohët e fundit kanë hasur edhe një problem më pak të njohur në Shqipëri, veçanërisht tek djemtë: dismorfia e muskujve, e njohur si “bigoreksia”.
Një çrregullim që psikologia Manolita Hida e krahason me personazhin vizatimor Johnny Bravo, ku përpjekjet e tij për të vënë gjatë gjithë kohës në pah muskujt dhe pamjen e tij perfekte tashmë janë bërë reale edhe tek të rinjtë në Shqipëri.
Hida sqaron se bigoreksia i referohet besimit të një individi se janë trup vegjël dhe të dobët pavarësisht se paraqitja e tyre është tipike apo edhe me muskuj mbi normë.
Mosha në të cilën ajo zhvillohet kryesisht është në adoleshencë por sinjalet e para mund të vihen re në paradoleshencë (pubertet).
Sociologe Marsida Simo thotë për Gazetasi.al se kryesisht prindërit shqiptarë që kanë fëmijë në moshë adoleshente apo dhe pak më të rritur shprehen se fëmijët e tyre, kryesisht djemtë janë të fokusuar te paraqitja e jashtme, të paturit muskuj, të jenë apo të duken të fortë.
“Ndodh që prindërit nuk e njohin si term bigoreksinë, por vënë në dukje një lloj obsesioni te djemtë e tyre për të bërë muskuj shpejt, të ushqehen kryesisht me proteina apo të marrin shtesa ushqimore që të kenë rezultatin e duhur”, thotë Simo.
Ekspertet tregojnë për Gazetasi.al se ka të rinj të cilët kërkojnë ndihmë dhe këtu përfshihen edhe djemtë.
“Ankesat me të cilat vinë kryesisht janë në lidhje me ndjenjën e pasigurisë që i pushton në momentet në të cilat duan të dalin në ambiente jashtë shtëpisë dhe të kalojnë në vende të populluara e veçanërisht kur këto vende janë me bashkëmoshatarë.
Kjo ndjesi shtrihet edhe në mjedise të tjera sikundër mund të jetë dhe shkolla dhe shkolla është një mjedis i rëndësishëm veçanërisht për adoleshentët pasi aty tentojnë edhe të gjejnë vendin e vet në shoqëri”, thotë psikologia Hida e cila shton se përjetimi i rasteve në të cilat ndjehet se fiziku nuk është mjaftueshëm mashkullor, nuk ka proporcionet e duhura, nuk ka muskujt e duhur, shoqërohet me emocione, ndjesi, mendime dhe sjellje të cilat synojnë ose duket sikur sjellin përkohësisht paqen në mendjen e djemve të rinj të cilët kanë simptomatikë e cila lidhet me bigoreksinë.

Janë emocione të cilat kanë në brendësi të tyre frikën nga refuzimi, ndjesinë e të qenit i papërshtatshëm, ndjenja zhvlerësuese ndaj vetes, mendime se nuk janë të bukur, se nuk do të pëlqehen nga të tjerët, se do të qeshin me to, se nuk dinë të flasin, apo se kanë një profil të shëmtuar dhe e çojnë të riun drejt vetëizolimit.
Psikologia tregon se nëpërmjet vetëizolimit tentohet të shmanget përballja me të tjerët (për shkak të frikës imagjinare pasi një përballje e tillë nuk ka ndodhur në jetën e tyre) pasi kjo i vendos përballë mendimit që i frikëson më shumë: trup jo denjësisht muskuloz.
Kjo sjellje mund të vihet re në ambientin e shkollës ku nuk guxojnë të ngrihen në mësime dhe të dalin përpara klasës.
Në këtë formë adoleshenti me simptomatikë të bigoreksisë tenton të shmangë vendosjen e vetes në qendër të vëmendjes së të tjerëve pasi ato do të shihnin trupin e tyre jo muskuloz dhe jo të denjë për tu quajtur mashkullor.
Pasojat gjithashtu ndihen dhe vihen re dhe tek marrëdhëniet sociale që duhet të krijojnë me bashkëmoshatarët pasi shmangin futjen në biseda me ta, daljen me nxënësit e tjerë në pushimin e gjatë, daljen në publik kryesisht në oraret kur ka më shumë fluks lëvizje dhe bashkëmoshatarë, mbyllja në shtëpi apo dhe fillimi i mundshëm i përdorimit të substancave të ndryshme.
Për të qenë ‘të pranuar’ nga shoqëria, të rinjtë që preken nga ky çrregullim shtojnë orët e kaluara në palestër si dhe, çka është më e rëndësishme, preket edhe zakoni i të ushqyerit, me përpjekje për të përdorur suplemente të cilat do i ndihmojnë të kenë masën e menduar muskulore.

Çfarë pasojash sjell ky çrregullim për të rinjtë?
Sociologia Simo tregon se pasojat e bigoreksisë mund të jenë si fizike, psikologjike dhe sociale.
Nga aspekti fizik kemi të bëjmë me dëmtimin e muskujve apo kyçeve, ku fizioterapistët shprehen se në klinikat e tyre vijnë djem të rinj me trauma të ndryshme fizike, të cilat janë pasojë e sforcimeve në palestër apo duke përdorur vegla palestre edhe në shtëpi, jo në mënyrën e duhur.
Këta djem nisin të ushtrohen me orë të tëra dhe në mënyrë intensive me qëllim të vetëm që “të bëjnë trup”.
Nga ana psikologjike, thotë Simo, duhet theksuar se personat që kanë bigoreksi ndjejnë ankth ose faj të tepruar nëse nuk ushtrohen çdo ditë, apo nëse nuk po bëjnë një dietë strikte. Ka raste kur mund të përdorin edhe proteina shtesë me sasi të tepruar apo pa konsultë.
Ky çrregullim ka edhe pasoja financiare pasi suplementet, trajtimet, palestra kanë kosto të konsiderueshme.
A mund të bëhet diçka për të ndaluar përhapjen e bigoreksisë?
Duke kuptuar se nga nxitet bigoreksia mund të nisim edhe parandalimin, thotë Simo. Media, rrjetet sociale promovojnë shpesh imazhe të atilla që lidhen me bukurinë e jashtme dhe aspektin fizik si për djemtë edhe për vajzat. Te vajzat mund të çojë më tepër në anoreksi, ndërsa për djemtë në bigoreksi.
“Kemi nevojë për një edukim të vazhdueshëm që në vogëli për shëndetin mendor dhe pranimin e vetes. Shkollat duhet të kenë më shumë fokus edukimin e temave aktuale që përballen nxënësit sot. Sigurisht një punë e vazhdueshme duhet bërë edhe në familje me mbështetjen, por edhe me mos kritikat. E them këtë sepse më shumë se të tjera ne si prindër priremi të kritikojmë fëmijët tanë duke i nxitur të jenë më të mirët apo të plotësojnë disa standarde të caktuara. Ne si prindër duhet të fokusohemi të thelbi njerëzor siç janë, vlerat, inteligjenca emocionale, mirësia etj”, shpjegon Simo, duke shtuar se vlen të theksohet se perceptimi i vetes si jo i mjaftueshëm nuk është real dhe nuk përputhet me shqetësimin që të rinjtë kanë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.