Kategoria Superiore fillon nesër 11 javët e fundit të cilat mund të konsiderohen starti i sprintit drejt objektivave sezonale. Diçka që nis me BIG4 të cilat do të provovjnë të thellojnë diferencat me 6 skuadrat e tjera që duket se do të grupohen në luftën për mbijetesë. Tre ndeshjet e para do të zhvillohen mes orëve 15:00 dhe 17:30 nesër dhe në fushë zbresin 3 nga 4 skuadrat e para në klasifikim. Gjithçka nis me Dinamo City-Laçi ku blutë e Dajës duan të lënë pas 4 barazimet rradhazi që i kanë shkëputur 7 pikë nga vendi i parë. Objektiv jo i lehtë përballë miqve që kanë 3 fitore dhe 1 barazim në 4 ndeshjet e fundit.

Në rënie të lirë Partizani (mes 4 të parave) dhe Bylis (në fundin e klasifikimit), luajnë për fitoren e parë në 5 javët e fundit. 3 barazime dhe 1 humbje për ish kampionët dhe 3 humbje e 1 barazim për ballshiotët që do të zhvillojnë ndeshjen e dytë nën drejtimin e Gentian Mezanit. E premtja mbyllet në Shkodër ku Vllaznia ka rinovuar me Balajn dhe pret AF Elbasani që nuk fiton prej 5 javësh. Ecuri negative e miqve që favorizoi Laçin në kapjen e mesit të artë.

Ndeshjet e të shtunës luhen të dyja në orën 17:00 në Korçë dhe në Durrës. Një mal për tu ngjitur nga Skënderbeu përballë Egnatias që nuk lë pikë prej 21 Dhjetorit të shkuar dhe zbret në Korçë pas 9 fitoreve rradhazi. Mirëpo “ujqërit e dëborës” duan me çdo kusht fitoren për të ringjallur shpresat e mbijetesës. Teuta dhe Tirana ndahen nga 2 pikë dhe “djemtë e detit” nuk fitojnë prej 5 ndeshjesh, situatë që mund ta shfrytëzojnë bardheblutë të cilët shkojnë në Durrës pas 2 fitoresh e 2 barazimesh në 4 ndeshjet e fundit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




