Para

Bien kursimet në banka / Ulen depozitat në lekë dhe rriten ato në euro

Nga Gazeta ‘SI’ – Në prill, kursimet e shqiptarëve në banka ranë sërish, duke e ulur stokun total të depozitave në 1.29 trilionë lekë, nga 1.3 që ishte në mars.

Por rënia duket të jetë vetëm statistikore pasi depozitat raportohen në lekë dhe rrjedhimisht ato në valutë të huaj përkthehen më pak, për shkak të kursit. Kursimet në euro përgjatë prillit janë rritur me 1.5%, duke arritur në 7.5 mld euro në total. Kjo është hera e parë prej shumë muajsh që rriten kursimet në euro, lidhur me zhvlerësimin e fortë. Euro dominon stokun e depozitave bankare me rreth 55% të totalit.

Rritja në prill erdhi si nga bizneset ashtu dhe nga individët. Me bazë vjetore, depozitat në valutë janë rritur me 15.3% ose 993 milionë euro më shumë.

Nga ana tjetër, kursimet në lekë kanë rënë, thotë Banka e Shqipërisë, me 1.2% nga marsi në prill përkthyer në rreth 8 mld lekë më pak.

Gjithsesi, shifrat tregojnë se rënia lidhet me depozitat e korporatave publike. Edhe depozitat e individëve shënuan tendencë rënëse, ndonëse me ritme më të ulëta se ato të bizneseve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë