Ekonomi

Bien investimet e të huajve në pasuritë e paluajtshme. Shtetet që investuan më shumë mbeten anonim

Nga Gazeta ‘SI’ – Investimet e huaja direkte prekën vlerën e 411 mln eurove në fund të tremujorit të tretë 2024. Vlera është e barabartë me atë të një viti më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-shtator, në vend kanë hyrë 1.16 mld euro si investime të jashtme.

Shifrat për sezonin e verës tregojnë se ka një reduktim të investimeve në pasuritë e paluajtshme, 88 mln euro nga 97 mln në tremujorin paraardhës. Në total, 169 mln euro janë investuar në këtë sektor për 9 muajt e parë të vitit.

Ndërkohë vërehet një rritje e IHD-ve në sektorin financiar, 80 mln nga 52 mln në tremujorin paraardhës. Gjithsesi, kjo mund të lidhet dhe me rikapitalizimin e bankave ndërkombëtare në filialet e tyre në Shqipëri.

Origjina  e këtyre investimeve në masën më të madhe është e panjohur. Sipas BSH-së, 90 mln euro, që është vlera më e madhe e IHD-ve, mbetet anonime, për “arsye konfidencialiteti”. Ky grup ka patur rritje  të dukshme  që prej të paktën një viti.

Vërehet një reduktim i investimeve nga Turqia nga tremujori paraardhës (77 mln euro), por mbetet i njëjtë me vlerën e një viti më parë, 58 mln euro.

Investimet e huaja kanë qeë së fundmi temë debati midis qeverisë, opozitës dhe institucioneve të tjera. Teksa deputeti socialist dhe drejtuesi i komisionit të Dezinformimit Erion Braçe i kërkoi Bankës së Shqipërisë të analizojë investitorët e huaj në Shqipëri, demokratët propozuan ndryshime në ligj.

Deputetja Jorida Tabaku ka dërguar në Kuvend një projektligj që parashikon krijimin e një kornize ligjore për të shqyrtuar investimet e huaja direkte që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare, si p.sh aksesi në informacione sensitive, teknologjinë kritike, struktura energjetike, transport etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë