Komisioni parlamentar i Ligjeve ka rrëzuar dy dekretet e presidentit për rishikimin e ligjeve “Për vetëqeverisjen vendore” dhe “Kodin Penal”. Deputetët e opozitës në bllok votuan kundër kërkesës që presidentit për t’i rishikuar dy ligjet.
Në këtë seanca nuk munguan debatet pro dhe kundër idesë për rishikimin e ligjeve. Këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj argumentoi se ndryshimet në nenet 3 dhe 4 të ligjit për pushtetin vendore janë të pajustifikuara dhe nuk garantojnë mbrojtjen e interesit publik. “Presidenti Meta shqyrtoi ligjin për ‘Vetëqeverisjen vendore’ bazuar në përmbajtjen e akteve pasi bëri një vlerësim të kujdesshëm në raport me interesin publik. Dispozitat e nenit 1 janë një hap pozitiv. Referuar nenit 3 dhe 4 gjatë shqyrtimit janë propozuar disa ndryshime që synojnë procesin vendimmarrës. Këto ndryshime janë të pajustifikuara sepse nuk garantojnë mbrojtjen e interesit publik. Nëpërmjet ndryshimeve referuar nenit 3 dhe 4 ulet kontrolli i shtetit”, tha Dervishaj.

Ndërsa kjo u kontestua nga ana e deputetit të PS-së, Bashkim Fino, madje ai u shpreh: “Në gjithë relacionin që kam lexuar po vërej me keqardhje se i gjithi është drejtuar kundër relatorit. Mesa duket presidenti e paska personale me mua. Presidenti i di procedurat si veprohet kur një projektligj vjen nga qeveria. Nuk mund të ngacmojmë ligjin sa herë ka kërkesa. Ne duhet ta rrezojmë dekretin e presidentit për nenin 3 dhe 4.Me çfarë duket, Presidenti e paska personale, a thua se unë qenkam një relator antikushtetues. Presidenti im i nderuar ka qenë kryetar Kuvendi, i di mirë procedurat”.
Por këshilltari juridik iu përgjigj se “vendimi i Presidentit është i bazuar mbi ligjin, nuk ka asgjë personale me Finon”.
Edhe në diskutimin e dekretit të dytë për ndryshimin në Kodin Penal mazhoranca u shpreh kundër këtyre ndryshimeve. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e pranishme në këtë mbledhje sqaroi se pse duhen këto ndryshime dhe se ato kanë për qëllim luftën ndaj kriminalitetit.

“Ndryshimet që janë propozuar në Kodin Penal kanë pasur si qëllim luftën pa kompromis ndaj kriminalitetit. Duke pasur në konsideratë që ka pasur mungesë të instrumenteve për të luftuar forma të reja të krimit, janë sjellë këto ndryshime. Ky projektligj ka një rëndësi të veçantë. Ashpërsimi i veprës penale nuk është e vetmja rrugë, por nga nevoja e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, u sollën këto ndryshime”, tha ajo. Pas diskutimeve të shumta, Komisioni rrëzoi dekretin e Metës. Tre votat pro të deputetëve të opozitës për dy dekret nuk patën ndonjë ndikim.
Deputeti i PS-së, Spartak Braho, dikur që ka qenë krahu i djathtë i Metës, debatoi me këshilltarin e Presidentit, sa i përket dekreteve, duke i kërkuar Dervishajt të jenë më dinjitozë dhe të ngrenë probleme të mirëfillta Kushtetuese.

“Zoti Dervishi po ja hiqni tullat Presidentit. Nga 130 dekrete, 21 dekrete kthehen mbrapsht. Nuk është dinjitoze që në dekretet e Presidentit kërkohet të rregullohet teknika legjislative, kjo apo ajo. Thelbi dhe serioziteti i dekreteve të Presidentit janë problemet Kushtetuese. Natyrisht rishikimi përfshin një gamë të gjerë të problematikës, e di mirë dhe e vlerësoj, por unë në asnjë rast nuk mbaj mend në 19 apo 21 dekrete sa keni ju, që të ngrini probleme të mirëfillta kushtetuese dhe Komisioni i Ligjeve apo Parlamenti të mos reagojë. Ndaj do ju thosha të jeni më dinjitozë në hartimin e kundërshtimin të ligjeve që Presidenti kërkon për të ç’dekretuar nëpërmjet dekreteve”, tha Braho. Por Dervishaj iu përgjigj se presidenti ka çuar në Kushtetuese ligjin për Teatrin, pas rrëzimit të dekreteve, duke lënë hapur që edhe ligje të tjera të rrëzuara nga Parlamenti, të refuzuar për rishikim të ankimohen te ky institucion i drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





