Ne rrjet

Bien akuzat ndaj Trump për sulmin në Capitol Hill dhe dokumentet sekrete në Mar-a-Lago

Gazeta Si - Një gjykatëse amerikane pushoi të hënën çështjen gjyqësore lidhur me akuzat ndaj Donald Trumpit për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, pas një kërkese të prokurorëve bazuar në politikën e Departamentit të Drejtësisë kundër ndjekjes penale të një presidenti në detyrë.

Vendimi i gjykatëses Tanya Chutkan i jep fund përpjekjes federale për ta mbajtur Trumpin përgjegjës për përpjekjet e tij për të mbajtur pushtetin pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2020, duke kulmuar me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol nga një grup i mbështetësve të tij.

Vendimi pasoi kërkesën e Prokurorit të Posaçëm Jack Smith, i cili ka mbikëqyrur rastin për zgjedhjet dhe atë për dokumetet sekrete konfidenciale në Mar-a-Lago, për të pushuar të dyja çështjet.

Trump është akuzuar se pas largimit nga detyra e Presidentit në 2021, ai ka mbajtur në mënyrë të paligjshme dokumete sekrete.

Ky vendim është "një fitore e madhe" ligjore për presidentin e zgjedhur republikan, i cili fitoi zgjedhjet e 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara dhe do të kthehet në detyrë më 20 janar.

Vendimi i Smith nuk është një surprizë, por është një hap historik. Rruga e tij e ndërthurur me fushatën elektorale ka hasur pengesa njëra pas tjetrës, me avokatët e Trump që kanë arritur të blejnë kohë dhe me Gjykatën e Lartë, e cila ka zgjeruar imunitetin e ofruar për ish-presidentët për aktet e kryera në detyrë.

Kështu që Smith nuk kishte më zgjidhje: ai nuk mund ta vazhdonte këtë proces që nuk kishte filluar kurrë dhe Trump kishte njoftuar se, sapo të vinte në detyrë, do ta pushontenga detyra “për dy minuta”.

Dy rastet e tjera, jo federale, por shtetërore, kundër Trump mbeten në harresë. Gjyqi i pafilluar për ndërhyrje në zgjedhje në Xhorxhia është pezulluar për shkak të konfliktit të interesit të prokurorit Fani Willis.

I vetmi gjyq që përfundoi me dënimin e një jurie popullore, ishte çështja "Stormy Daniels" në Nju Jork, por pas zgjedhjes së Trump, gjyqtari që duhet të kishte vendosur dënimin, tani po shqyrton nëse do ta pushojë atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë