Teknologji dhe Inovacion

Bie TikTok, përdorues në gjithë botën raportojnë probleme

TikTok ka rënë nga sistemi, ku shumë përdorues nga gjithë bota nuk kanë arritur të futen në aplikacion.

Sipas DownDetector, ueb-faqe e specializuar në monitorimin e probleme të tilla,problemet kanë nisur që në orën 09:40 ku përdoruesit në të gjithë botën kanë raportuar për probleme duke mos pasur mundësi të shohin video apo të dërgojnë mesazhe.

Pothuajse mbi 3 mijë ankesa janë regjistruar deri më tani dhe një total prej 53% e përdoruesve kanë pasur probleme të ndryshme.

Tiktok është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance dhe prej kohësh është kthyer në një “mollë sherri” midis drejtuesve të kompanisë dhe Amerikës e Europës.

Kompania është akuzuar se mbledh të dhënat e përdoruesve. Diçka e tillë edhe është vërtetuar nga studimet që kanë treguar se TikTok është aplikacioni që mbledh më shumë të dhëna. Diçka e tillë është mohuar nga drejtuesit e kompanisë.

Pavarësisht kësaj, në Amerikë prej disa muajsh është ndaluar përdorimi i aplikacionit në shumë shtete dhe së fundmi është ndaluar të përdoret edhe nga zyrtarët në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe Komisioni Europian gjithashtu ua ka ndaluar punonjësve përdorimin e aplikacionit për të ndaluar një rrezik të mundshëm nga mbledhja e të dhënave.

TikTok nuk ka reaguar ende për problemin e ditës së sotshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë