Nga Gazeta ‘Si’– Lideri holandez i të djathtës ekstreme, Geert Wilders, e ka tërhequr partinë e tij nga koalicioni qeverisës katërpartiak i vendit për shkak të një debati mbi politikën e imigracionit dhe azilit, duke sinjalizuar fundin e afërt të qeverisë 11-mujore të Holandës.
Wilders, partia e të cilit përfundoi e para në zgjedhjet parlamentare në fund të vitit 2023 , tha të martën se e kishte informuar kryeministrin, Dick Schoof, se të gjithë ministrat e PVV do të largoheshin nga qeveria, shkruan The Guardian.
Lideri i ekstremit të djathtë kishte njoftuar më parë në mediat sociale pas një takimi të shkurtër të katër liderëve të partive në aleancë – të cilët u betuan vetëm korrikun e kaluar – se meqenëse nuk kishte pasur “asnjë miratim për planet tona të azilit”, PVV po “largohej nga koalicioni”.
Plani i Wilders përfshinte mbylljen e kufijve për azilkërkuesit, ndalimin e bashkimit familjar për refugjatët e njohur, mbylljen e qendrave të azilit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe dëbimin e shtetasve me nënshtetësi të dyfishtë që janë dënuar për vepra penale.
Megjithatë, një numër ekspertësh politikë dhe ligjorë e cilësuan këtë plan si të pazbatueshëm dhe të paligjshëm, ndërsa disa vlerësuan se Wilders e kishte krijuar vetë krizën me qëllim rrëzimin e qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve të reja
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.