Bota

Bie qeveria në Bullgari, Kryeministri jep dorëheqjen pas protestave masive

Kryeministri bullgar Rosen Zhelyazkov dorëhiqet. Ai e njoftoi dorëheqjen e qeverisë sot pas disa protestash mbi politikat ekonomike dhe dështimin për të luftuar korrupsionin. Zhelyazkov njoftoi dorëheqjen pak minuta para se parlamenti të votonte mocionin e mosbesimit.

Kjo dorëheqje ndodh pak para se Bullgaria të bashkohet me zonën e euros më 1 janar, ndërsa të mërkurën, në sheshin “Pavarësia” përpara godinave qeveritare në Sofje u mblodhën 50 mijë protestues.

Ekzekutivi i Sofjes i drejtuar nga Rossen Zhelyazkov, përfaqësues i partisë konservatore GERB, është një koalicion i përbërë nga GERB, fituesi i zgjedhjeve të fundit, socialistët (BSP) dhe partia populiste “Ka një popull të tillë” (ITN). Ai nuk ka shumicë parlamentare, por mbështetet pa kushte nga partia “Lëvizja për të Drejta dhe Liri – Fillim i Ri” (DPS-NN), një nga dy partitë e pakicës turke në parlament, ajo e Delian Peevskit, figurë qendrore dhe kontroverse e politikës bullgare, i akuzuar prej vitesh si simbol i korrupsionit kombëtar.

Lideri historik i GERB-it është Boyko Borissov, ish-kryeministër i akuzuar nga bullgarët për abuzim me pushtetin dhe nepotizëm, i cili sot deklaroi se qeveria aktuale është formuar ekskluzivisht për të futur Bullgarinë në zonën euro duke nisur nga 1 janari i ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë