Nga Gazeta Si- Blegtoria në Shqipëri po përballet me një rënie të numrit të lopëve dhe të të imtave. Instituti i Statistikave raporton se numri i bagëtive vazhdoi të tkurret edhe gjatë vitit të kaluar.
Sipas INSTAT, numri i lopëve në rang vendi u ul me 3.5 për qind krahasuar me një vit më parë duke zbritur në 224 mijë krerë.
Numri i përgjithshëm i të leshtave në vitin 2024 ka rënë me 2,5%, nga 1.206 mijë në 1.177 mijë krerë, krahasuar me 2023. Delet, si kategoria më përfaqësuese, kanë shënuar një rënie më të theksuar prej 3,8%, nga 1.006 mijë në 968 mijë krerë.
Në vitin 2024, janë regjistruar 615 mijë krerë të dhirta, me një rënie prej 3,9%, krahasuar me një vit më parë. Numri i dhive është ulur me 2,2%, nga 512 mijë në 501 mijë krerë. Por rënia më e madhe është shënuar në kategorinë e derrave.
Sipas INSTAT, numri i derrave ra me 9,4%, nga 115 mijë në 104 mijë krerë dhe brenda kësaj kategorie, numri i dosave u reduktua me 9,6%.
Tkurrja e numrit të bagëtive është shoqëruar me rënien e mëtejshme të prodhimit të mishit dhe bulmetrave. Sipas INSTAT, prodhimi i përgjithshëm i qumështit u ulu me 2,7%, duke kaluar nga 900.5 mijë tonë në vitin 2023 në 876.6 mijë tonë në vitin 2024.
Prodhimi i mishit në peshë të gjallë ra me 3,8%, nga 135.5 mijë tonë në 130.3 mijë tonë, ndërsa prodhimi i vezëve u ul me 0,7%.
Statistikat e INSTAT tregojnë se i vetmi sektor me rritje i blegtorisë është ai i bletëve. Numri i koshereve të bletëve është rritur me 13,2%, nga 519 mijë koshere në vitin 2023 në 587 mijë koshere në vitin 2024, ndërsa prodhimi i mjaltit u rrit me 5.4 për qind në terma vjetorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.