Treg

Bie ndjeshëm papunësia, por industria dhe shërbimet s’gjejnë dot punonjës

Nga Gazeta 'SI' - Në fund të shtatorit 2023 niveli i papunësisë në Shqipëri ra në 10.5%, niveli më i ulët për të paktën 4 vitet e fundit. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10.1% dhe për gratë 11.1%. Sipas ekspertëve të fushës, rënia e papunësisë lidhet më shumë me rënien e popullsisë dhe emigrimin, se sa me përmirësimin e tregut të punës.

Për të njëjtën periudhë Instat raporton rritje vjetore të punësimit për popullsinë aktive me 1.6%, duke arritur në total 67.7%. Gjithsesi në raport tremujorësh, rritja është vetëm 0.3%.

Në tremujorin e tretë 2023, raportohet edhe një rritje e lehtë e të rinjve në forcën e punës, 2.6 pikë përqindje. 57.5% e moshës 15-29 vjeç janë në marrëdhënie pune. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 84.6%.

Ndonëse burrat dominojnë tregun e punës, rritjen më të madhe e kanë pasur gratë, me 2.8  pikë përqindje në një vit.

Sipas sektorëve, në raport tremujor, vetëm industria dhe shërbimet raportohet të kenë rënie të punësimit me 2.5% dhe 1.3% respektivisht. Në raport vjetor, bujqësia dhe shërbimet raportojnë rënie me 3 dhe 6% përkatësisht.  

Në tremujorin e tretë 2023, krahasuar me atë të 2022-shit, popullsia jo aktive “që po përmbush detyrat shtëpiake” ka një rënie me 0.4 p.p, por në raport tremujorësh ajo ka një rritje prej 0.7 p.p.  9.7 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 13.4 % në paaftësi të përhershme. Gjatë tremujorit të tretë 2023, 4.7 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë