Nga Gazeta ‘SI’ – Shifrat e fundit të INSTAT tregojnë se aktivitetet e shërbimit dhe ndërtimit janë gjeneruesit kryesorë të PBB-së së Shqipërisë.
Të dhënat që i referohen fundit të 2024-s, raportojnë se aktiviteti i industrisë vendase ka rënë me 14.4%, krahasuar me një vit më parë. Prodhimi industrial ka rënë me rreth 14% dhe numri i të punësuarve është reduktuar me 6.5%. Fondi i pagave gjatë kësaj kohe është rritur me 1.9%.
Edhe në fushën e energjisë dhe gazit, raportohet rënie e prodhimit, me 13.5% dhe rënie e shitjeve me 0.8%. Numri i të punonjësve ka rënë me 6%, ndërsa pagat u rritën me 4%.

Në aktivitetin e menaxhimit të mbetjeve dhe ujit, prodhimi ra me 2.5% dhe shitjet me 4.4%. Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje 1.2% dhe fondi i pagave shënoi rritje me 10.8 %.
Ndërtimi u rrit me 1.9% dhe shitjet me 2.7%. Numri i të punësuarve u rrit me 1.8% dhe pagat me 17%.
Aktiviteti i hoteleve u rrit me 7.9%, ndërsa numri i të punësuarve me 8.8%. në shërbimin e hoteleve pagat u rritën me 19.4%.

Për bar-restorantet aktiviteti u shtua me rreth 13%, ndërsa të punësuarit u rritën me 11.2%, po aq sa edhe rritja e pagës.
Në fund të vitit, puna e agjencive turistike u rrit me 7.1%, të punësuarit me 12.7% dhe fondi i pagave me pothuajse 20%.
Indekset e treguesve në aktivitetin Informacion dhe Komunikacion, i cili përfshin aktivitetin e Publikimit, Telekomunikacionit si dhe shërbimet e Teknologjisë së Informacionit, tregojnë se shitjet dhe të punësuarit u rritën me 8.7%. Indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 8,2%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.