Ekonomi

Bie besimi i bizneseve në ekonomi, ndërtimi me ‘pesimizimin’ më të lartë

Nga Gazeta ‘SI’ – Besimi në ekonominë e Shqipërisë ra me 2.4 pikë gjatë muajit shtator, ndikuar fort nga rënia në sektorin e ndërtimit. Të njëjtin efekt pati edhe rënia e besimit në sektorin e shërbimeve dhe tregtisë, ndërsa ai i industrisë u rrit. Konsumatorët nuk kishin ndryshim nga një muaj më parë.

Ndërtimi

Besimi në bizneset ndërtuese ra me pothuajse 10 pikë përqindje në shtator, ndikuar nga pesimizmi për aktivitetin. Kërkesa po ashtu rezultoi më e dobët. Bizneset në këtë fushë presin ulje të punësimit, por rritje të çmimeve.

Shërbimet

Ndonëse shtatori kishte ende flukse turistësh, besimi i bizneseve në shërbim ra me 4.6 pp, ndikuar si nga kërkesa dhe nga aktiviteti. Sektori i shërbimeve pret rënie të punonjësve dhe çmimeve.

Tregtia

Besimi i bizneseve tregtare ra lehtë në shtator, me 0.2 pp, ndikuar kjo nga pritjet më pesimiste për punësimin. Vlerësimet për aktivitetin dhe çmimet u rritën lehtë në këtë sektor.

Konsumatorët

Besimi i konsumatorëve në muajin shtator nuk ka ndryshuar aspak nga ai i gushtit. Pritjet për gjendjen e përgjithshme të ekonomisë në të ardhmen janë në rënie.  

Industria

Të vetmet biznese që rezultuan optimiste gjatë shtatorit ishin ato të industrisë, besimi i të cilëve u rrit me 2.3 pp. Në rritjen e këtij treguesi ka ndikuar rritja e kërkesës në vend dhe eksporte si edhe niveli i prodhimit. Gjithashtu, pritjet e bizneseve të industrisë për prodhimin në të ardhmen kanë regjistruar rritje në shtator, ndërsa pritjet për punësimin dhe çmimet janë në rënie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë