Gazeta Si – Mançester Siti ka marrë një asist në javën e 22-të të Premier Ligës nga Evertoni, që sot ndali Arsenalin kryesues, duke e mundur 1-0. ‘Topçinjtë’ u ndëshkuan nga një gol i Tarkovskit pas një ore lojë dhe nuk mundën ta shmangnin humbjen.
Arsenali kryeson me 50 pikë, ndërsa Siti ka 45 pikë dhe ka mundësinë të afrohet në 2 pikë, nëse mund nesër Totenhemin në transfertë.
Humbja e kryesuesve ishte vetëm prologu i kësaj jave spektakolare në Angli. Liverpuli është mundur sërish, këtë herë nga Volverhemptoni, me rezultatin e pastër 3-0, duke minimizuar gjithmonë e më shumë shpresta për në 4-she.
Mançester Junajtid mundi 2-1 Kristal Pallasin, por vëmendjen në këtë ndeshje e mori kartoni i kuq i Kasemiros. Është i kuqi i parë për brazilianin që kur luan në Europë dhe tashmë do të mungojë në 3 ndeshje. Me këtë fitore Junajtid është ngjitur në kuotën e 42 pikëve, 3 më pak se kushërinjtë e Sitit.
Mancesteri e zhbllokoi ndeshjen me një penallti të kthyer në gol nga Bruno Fernandes. Skuadra e ten Hag e kontrolloi ndeshjen në pjesën e parë, në të dytën gjeti edhe golin e dytë me Rashford. Festa u prish nga Kasemiro, që në minutën e 67-të kapi për fyti Juxhs gjatë një zënke dhe u ndëshkua me karton të kuq. Shlup shkurtoi diferencën në 2-1, por kaq.
Nuk ka fund rënia e Liverpulit, që sot u turpërua keq nga Volverhemptoni, 3-0. Skuadra e Jurgen Klop mbetet në kuotën e 29 pikëve, shumë larg zonës Champions. As tredhëmbëshi Salah-Nunjez-Gakpo nuk bëri punë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




