Gazeta Si – Kombëtarja nis nesër grumbullimin për ndeshjet me Çekinë dhe Bullgarinë. Fokusi është i gjithi te sfida e parë, kualifikuesja e 12 tetorit, ku kuqezinjtë luajnë për të siguruar kualifikimin në Euro 2024.
Situata ka qenë disi shqetësuese në prag të këtij grumbullimi, për shkak të dëmtimit të disa titullarëve. Por duket se alarmi ka rënë për dy prej tyre, kapitenin Berat Gjimshiti dhe sulmuesin Sokol Cikalleshi.
Mbrojtësi i Atalantës, i dëmtuar në ndeshjet europiane të kësaj jave që po mbyllet, nuk ka pasur probleme serioze. Dalja e tij nga fusha gjatë ndeshjes me Sportingun më shumë duket se ka ardhur nga lodhja dhe sipas shtypit italian, Gjimshiti është bashkuar me ekipin në stërvitje. Kjo do të thotë se më 12 tetor do të jetë në fushë.
Edhe Cikalleshi, me shumë gjasa, do të jetë në fushë ndaj Çekisë. Sulmuesi kavajas po e kalon dëmtimin muskulor që e ka bezdisur shpesh në karrierë. ‘Veterani’ është i gatshëm të sakrifikojë për Kombëtaren, edhe nëse nuk do të jetë në 100%.
Në këto kushte, trajnerin Silvinjo e shqetëson vetëm situata me Ardian Ismajlin, i dëmtuar në ndeshjen e fundit me Empolin në kampionat. Ai sapo kishte lënë pas një dëmtim dhe në ndeshjen e rikthimit doli sërish nga fusha para kohe. Deri ditën e enjte, kur luhet ndeshja me Çekinë, do të jetë më e qartë situata me këtë futbollist. Nëse nuk ia del, gati për ta zëvendësuar janë Mihaj, Ajeti dhe Veseli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.