Gazeta Si – Presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur në Kiev në një vizitë të papritur, ku ka takuar homologun e tij ukrainas, Volodimir Zelenski.
Një vizitë surprizë për të cilën është folur gjatë gjithë mëngjesit. Rrugët e blinduara dhe dhjetëra makina përreth ambasadës amerikane, bënë që gazetarët dhe qytetarët e kryeqytetit ukrainas të dyshonin. Ndërkoë që alarmi për bombardime ajrore nga Rusia është dëgjuar në të gjithë vendin.






Në rrjetet sociale tashmë po qarkullojnë video dhe imazhe të dy liderëve që vizitojnë sheshin “Mikhailovskaya”. Kjo është vizita e parë e presidentit amerikan një vit pas pushtimit rus në 24 shkurtin e kaluar.
“Joseph Biden, mirë se erdhe në Kiev! Vizita juaj është një sinjal jashtëzakonisht i rëndësishëm i mbështetjes për të gjithë ukrainasit”, – ka shkruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në Telegram, duke postuar një foto ku shtrëngon duart me Joe Biden me flamujt e Ukrainës dhe SHBA-së pas tij.
More footage of Biden in #Kyiv, walking with President Zelenskyy pic.twitter.com/4vHMg6mi8q
— Michael A. Horowitz (@michaelh992) February 20, 2023
Gjatë vizitës, presidenti amerikan njoftoi gjysmë miliardë dollarë ndihmë shtesë për Ukrainën. Ai tha se paketa do të përfshijë më shumë pajisje ushtarake, duke përfshirë municione artilerie, më shumë topa dhe obus.
Zelensky tha se ai dhe Biden kishin biseduar për “armët me rreze të gjatë dhe armët që ende mund të furnizoheshin në Ukrainë edhe nëse nuk do të ishin furnizuar më parë”.
Në një deklaratë zyrtare Shtëpia e Bardhë tha se vizita e presidentit amerikan Joe Biden në Kiev kishte si qëllim riafirmimin e angazhimit të palëkundur të SHBA për demokracinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.






“Kur Putin nisi pushtimin e tij gati 1 vit më parë, ai mendoi se Ukraina ishte e dobët dhe Perëndimi i ndarë. Ai mendoi se mund të na tejkalonte, por e kishte shumë gabim”, tha Biden.
Më tej, në deklaratën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, thuhet se Biden dhe Zelensky zhvilluan diskutime të gjera për mbështetjen e SHBA për Ukrainën dhe se Biden e njoftoi për furnizimin me më shumë pajisje kritike në ndihmë të mbrojtjes së vendit. Sipas deklaratës, ndaj Rusisë pritet të ndërmerren edhe më shumë sanksione.
Në një deklaratë të përbashkët televizive pas vizitës surprizë të Joe Biden në Ukrainë, Zelenski tha se “bota demokratike” duhet të fitojë “këtë betejë historike dhe shpresojmë që viti 2023, të jetë viti i fitores”.
“Është vizita më e rëndësishme në të gjithë historinë e marrëdhënieve SHBA-Ukrainë”, tha Zelenski, duke shtuar se ajo “nënvizon rezultatet që kemi arritur deri më tani”.
“Sot negociatat tona ishin shumë frytdhënëse”, vijoi Zelenski, duke shtuar se rezultatet e kësaj vizite padyshim që do të shihen dhe se do të kenë reflektim në fushëbetejë.
Vendimi i SHBA-ve për t’i dhënë tanke “Abram” Ukrainës në janar, ka kontribuuar në përforcimin e mbrojtjes së Ukrainës, u shpreh Zelenski, ndërsa shtoi se me Biden kishin biseduar edhe për armë me rreze të gjatë veprimi.
“Di që do të ketë një paketë shumë domethënëse ndihme për Ukrainën… duke dhënë një sinjal të qartë se agresioni i Rusisë nuk ka asnjë shans. Ukraina iu është mirënjohëse zoti president”, shtoi presidenti ukrainas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




