Bota

Biden diagnostifikohet me kancer agresiv. Trump i uron shërim të shpejtë

Nga Gazeta ‘Si’- Ish-presidenti amerikan, Joe Biden, është diagnostikuar me një formë “agresive” të kancerit të prostatës, që tashmë është përhapur në kocka.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka reaguar pas këtij lajmi të shpërndarë nga zyra e Biden.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump tha se ai dhe bashkëshortja Melania ndihen të trishtuar dhe i urojnë Biden shërim të shpejtë.

“Unë dhe Melania jemi të trishtuar pasi dëgjuam për diagnozën e fundit mjekësore të Joe Biden. I urojmë më të mirat Jill dhe familjes, dhe i urojmë Joe-t shërim të shpejtë”, shkruan Trump në Truth Social.

Biden dhe familja e tij “po shqyrtojnë opsionet e trajtimit me mjekët”, thuhej në deklaratë.

Zyra e ish-presidentit Biden shtoi se kanceri është i ndjeshëm ndaj hormoneve, që do të thotë se ka shanse të menaxhohet me një trajtim efektiv.

Ish-presidenti amerikan nga radhët e demokratëve është 82 vjeç. Në SHBA, kanceri i prostatës është kanceri më i zakonshëm dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjes nga kanceri te burrat, sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit.

Ish-presidenti Biden u largua nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar të 2025, duke ia kaluar stafetën e pushtetit rivalit të tij republikan, Donald Trump.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë