Bota

Biden mbron tërheqjen mes kaosit: Trupat amerikane nuk mund të vdesin më në Afganistan

“Vendimi për t’u larguar nga Afganistani ishte i drejtë”. Kështu është shprehur Joe Biden në daljen e tij të parë publike në lidhje me kaosin që ka përfshirë Afganistanin pas tërheqjes amerikane.

Presidenti i SHBA-ve, ka nënvizuar nga Shtëpia e Bardhë, se sa shumë ushtarë amerikanë kanë vdekur në të shkuarën dhe se nuk mund të jetë një detyrë e Shteteve të Bashkuara të luftojnë një luftë për të cilën vetë ushtria afgane është tërhequr, pavarësisht faktit se Amerika kishte ofruar trajnime dhe mjete.

“Misioni ynë në Afganistan nuk ishte menduar kurrë për të ndërtuar një komb, por për të luftuar terrorizmin”, – shtoi ai.

Biden më pas kujtoi se ishte pajtuar me modalitetet e tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani në kohën që administrate drejtohej nga Donald Trump: “Zgjedhja që kisha, ishte të vazhdoja marrëveshjen e negociuar nga Donald Trump me talebanët ose kthehesha për të luftuar”, – shpjegoi ai më pas. Tërheqja e trupave, shpjegoi Biden, megjithatë, nuk do të thotë braktisje e popullsisë së vendit.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin afgan përmes diplomacisë siç bëjmë në të gjithë botën. Të drejtat e njeriut duhet të zënë vend në politikën tonë të jashtme”. Gjithashtu, “nëse është e nevojshme”, SHBA-të do të kryejnë aksione kundër terrorizmit në Afganistan.

Biden pranoi se vendi ra në duart e talebanëve më shpejt nga sa pritej, por ai gjithashtu e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të “kërkoj nga ushtria jonë të luftojë një luftë civile të pafund. Nuk është në interesin tonë, amerikanët nuk e duan një gjë të tillë, nuk e kërkojnë dhe trupat tona nuk e meritojnë atë”.

“Unë nuk dua që ajo që përjetuam në Vietnam, të përsëritet në Afganistan, – vijoi Biden. – Unë e di që do të kritikohem, por preferoj të kritikohem, sesa të pres që një president tjetër, i pesti , duhet të marrë këto vendime. Ky është vendimi i duhur për ne, për njerëzit tanë dhe për ushtrinë tonë kurajoze që i kanë shërbyer kombit. Është vendimi i duhur për Amerikën”.

Sa i përket evakuimit të qytetarëve amerikanë të pranishëm në Afganistan, Biden ishte i qartë. “Në ditët në vijim, – sqaroi presidenti amerikan, – ne do të evakuojmë mijëra qytetarë amerikanë që janë në Afganistan. Ne u kemi thënë talebanëve, se nëse anëtarët e kontigjentit tonë sulmohen, përgjigja do të jetë e menjëhershme dhe vendimtare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë