Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti amerikan, Joe Biden, i tha kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se mbështetja amerikane në të ardhmen për luftën në Gazë varet nga hapat e rinj për mbrojtjen e civilëve dhe punëtorëve të ndihmës.
Biden zhvilloi një bisedë telefonike me Netanyahun më 4 prill disa ditë pasi sulmet ajrore izraelite vranë shtatë punëtorë të ndihmës në Gazë, duke ndërlikuar edhe më shumë raportin gjithnjë e më të tensionuara mes udhëheqësve.
“Ai (presidenti Biden) e bëri të qartë se Izraeli duhet të njoftojë dhe zbatojë një seri specifike të hapave konkretë dhe të matshëm për të adresuar çështjen e mbrojtjes së civilëve, të dhimbjes humanitare dhe të sigurisë së punëtorëve të ndihmës”, tha Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate pas bisedës telefonike.
“Ai e bëri të qartë se politika amerikane sa i përket Gazës do të përcaktohet në bazë të vlerësimit tonë lidhur me veprimet e Izraelit për këto hapa”.
Biden po ashtu i tha Netanyahut se “është thelbësor një armëpushim i menjëhershëm” dhe i bëri thirrje Izraelit që të arrijë një marrëveshje armëpushimi “pa vonesa”, tha Shtëpia e Bardhë.
Biseda mes Bidenit dhe Netanyahut u zhvillua pasi organizata Kuzhina Qendrore Botërore bëri thirrje për hetim të menjëhershëm ndaj sulmit ajror izraelit që la të vrarë anëtarë të kësaj organizate, përfshirë edhe një shtetas amerikan.
Shtëpia e Bardhë tha se nuk ka në plan të kryejë hetimin e vet për këtë ngjarje, edhe pse i bëri thirrje Izraelit që të bëjë më shumë për të shmangur vrasjen dhe plagosjen e civilëve të pafajshëm dhe punëtorëve të ndihmës gjatë operacioneve që ata kryejnë në Gazë.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Mbi 100 pengje u liruan vitin e kaluar në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.
Izraeli u përgjigj me një prej sulmeve më vdekjeprurëse dhe shkatërruese ushtarake në Gazë, duke detyruar 80 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.
Si pasojë e sulmeve ajrore dhe tokësore, në Gazë janë vrarë afër 33.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




