Kosova

Biden do t’i lërë bisedimet Kosovë-Serbi në dorë të Europës

Edhe pse ish-presidenti Donald Trump mori në dorë bisedimet Kosovë-Serbi duke përjashtuar plotësisht Bashkimin Europia, kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë duket se do të ndjekë një tjetër qajse.

Gati gjashtë muaj pas samitit të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë për paqen Kosovë-Serbi, i cili çoi edhe në nënshkrimin e një marrëveshjeje, sinjalet që vijnë nga administrata e re amerikane tregojnë se SHBA-ja nuk do të jetë më në krye të tavolinës së dialogut.

Departamenti Amerikan të Shtetit ka thënë sot në një deklaratë se SHBA mbështet në mënyrë të plotë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Europian .

Në lidhje me zgjidhjen e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, Departamenti i Shtetit rikujton një deklaratë të mëhershme të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili është shprehur se: “presidenti Biden: thelbësore për ecjen përpara të Kosovës dhe Serbisë është një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çojë në njohje të ndërsjellë; do të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të të dyja shteteve, si dhe do të fuqizojë institucionet demokratike të tyre. Ajo do të rriste sigurinë dhe prosperitetin e të dyja vendeve, do të avanconte aspiratat e tyre për anëtarësim në BE dhe institucione të tjera shumëpalëshe dhe do të mbështeste qëllimin e qëndrueshëm të një Europe të tërë, të lirë dhe në paqe”.

Departamenti i Shtetit rikujton edhe deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit më 19 janar, para inaugurimit të presidentit Biden, në të cilën ai kishte thënë se “duartroket përpjekjet e administratës së presidentit Trump” për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Presidenti i zgjedhur (Joe Biden), siç e dini, në të kaluarën ka kaluar shumë kohë në ato vende, dhe unë mendoj se ai ndan bindjen se ka gjëra që mund të bëjmë për të ndihmuar që Kosova të lëvizë përpara, gjithashtu me shpresë edhe Serbia”, pati thënë Blinken.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, të cilat u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trump për dialogun, Richard Grenell.

Por pavarësisht marrëveshjes së Uashingtonit, për të cilën Trump tha se është më shumë ekonomike, njohja e Kosovës nga Serbia vazhdon të mbetet një çështje e largët. Disa prej partive politike thonë se Kosova e humbi rastin historik për të arritur njohjen reciproke gjatë vitit të kaluar, kur SHBA dukej më e përqendruar se kurrë tek Prishtina.
Pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Prishtina dhe Beogradi janë zotuar se do të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.

Deri më tani, pas rezolutës së përbashkët të paraqitur nga 27 anëtarët e Bashkimit Evropian dhe Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 2010, negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës janë lehtësuar nga Përfaqësuesit e Lartë të BE-së. Por në mandatin e fundit të Barack Obamas, Shtetet e Bashkuara kanë qenë joaktive, duke e lënë çështjen e Kosovës, në nivelin më të ulët diplomatik nuk ka pasur ndonjë përparim domethënës.

“Vetëm pasi zbuloi ndikimin në rritje të Rusisë, e cila shfrytëzonte çdo krizë në rajon për të përhapur influencën e saj, Shtetet e Bashkuara vendosën të angazhoheshin si për dialogun Beograd-Prishtinë ashtu edhe rajonin. Sipas vlerësimeve të Uashingtonit situata është shumë e rrezikshme për t’ua lënë në dorë evropianëve”, thotë Bosko Jaksić, gazetar i së përditëshmes serbe “Politika”.

Sipas tij, Bashkimi Europian është goditur me kriza të shumta gjatë dekadës së fundit, duke filluar nga kriza financiare e vitit 2008, kriza greke , kriza në Ukrainë në vitin 2014 dhe kriza e emigrantëve që shkaktoi një rritje të partive populiste të krahut të djathtë. “E gjithë kjo, së bashku me vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga Bashkimi Europian e ka bërë Brukselin të paaftë të përballojë problemet aktuale të rajonit, sidomos ato që mund të çojnë drejt një konflikti të mundshëm”, thekson Jaksic.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë