Ana e errët

Biçikleta, celularë, lavatriçe, fasule, por edhe vula. Çfarë vidhet në Tiranë?

Qytetarë të shumtë paraqiten sporteleve të policisë për të denoncuar autorët që u kanë vjedhur pasuri, që nga rrëmbimi i makinave, televizorë e furrë pjekjeje e deri te biçikletat.

R. M. jeton në zonën e Kamzës dhe ai për pak ngeli pa frymë kur konstatoi se dikush i kishte zhveshur shtëpinë. Hajdutët të pamëshirshëm, jo vetëm që kishin marrë furrën e pjekjes, mikrovalën, por edhe dy batanije dhe dy jastëkë, denoncoi i zoti i shtëpisë, i cili në këtë rast nuk ka munguar të lutet përveçse për zbulimin e autorëve, por edhe që “hajduti pastë dorën e mbarë”. Por, një grua tjetër në të njëjtën zonë, e cila shënon vjedhje edhe të ushqimeve, nervat me hajdutin nuk e kanë stepur para dëmit që i shkaktoi mbyllja e dyqanit derisa shkoi në komisariat dhe dorëzoi kallëzimin. S. Veizaj, e moshës 55 vjeç, ka një dyqan ushqimor në rrugën “Hamdi Cullhaj” dhe sapo kuptoi që dikush i kishte vjedhur në dyqan tre kilogramë fasule, nuk përtoi të denoncojë pranë agjentëve të krimeve të Komisariatit numër 6.

Por, policia i ndan vjedhjet në disa kategori. Ka nga ato që janë super të përgatitura, ku hajdutët përveshin mëngët dhe pasi përgjojnë qytetarët vjedhin shtëpi të zgjedhura. “Ka raste sikurse hajdutë si F. Cepa, i dënuar më parë për vjedhje, i cili u dërgua sërish për hetime në Prokurori pasi u zbulua duke vjedhur profile alumini”, pohoi për Gazetën “Si” një burim policor, i cili është i përfshirë në disa dosje hajdutësh, dhe që i kategorizon ata “si hajdutë për bukën e gojës dhe hajdutë mjeshtra”. Por ky hajdut ishte shoqëruar dy ditë para se të konstatohej për këtë ngjarje edhe për vjedhjen e një telefoni. Hajduti vodhi një aparat celular përballë Inxhinierisë së Ndërtimit brenda automjetit që i përkiste E. G, por më pas u la i lirë nga gjykata. Autorë të tillë janë gjatë gjithë ditës në qarkullim për të kryer zhvatje të vogla, por që sidoqoftë shqetësojnë të dëmtuarit.

 “Këta të fundit janë të ndarë në hajdutë automjetesh, shtëpish, xhepistë, rrëmbyes në rrugë të varëseve të floririt apo edhe hajdutë telefonash”, shprehet specialisti i policisë, që sidoqoftë më i shqetësuar është për përdorimin e fëmijëve në vjedhje. “Për shembull pak ditë më parë Elsuida P., 21 vjeç, kërkoi ndihmën e policisë pasi në afërsi të Bankës së Shqipërisë i kishin vjedhur çantën brenda të cilës ajo kishte ID dhe 100 Euro. Ngjarja ndodhi në rrugën “Ibrahim Rugova”, në një lokal sufllaqesh dhe skema si ka ndodhur vjedhja është e njëjtë edhe me ngjarje të tjera që të bëjnë të dyshosh se në këtë episod është i përfshirë një fëmijë, pasi të miturit nuk bien aspak në sy dhe zakonisht të rriturit tregohen të pakujdesshëm në rast se shohin një të mitur pranë tyre. “Është diçka instiktive, domethënë të rriturit ruhen më tepër nga të rriturit se nga njëri-tjetri”, shton më tej shefi i policisë.

Hajdutët e varëseve

Ata janë të padukshëm në vende publike, të errëta apo pranë vendeve më të frekuentuara. Zakonisht preferojnë femrat, gra në moshë apo vajza të reja. Por “skifterëve” nuk u shpëtojnë edhe djemtë. Një shënjestër e tillë ishte edhe E. Ei, të cilit i rrëmbyen varësen e floririt në afërsi të një stacioni autobusësh. Hajduti është i  paidentifikuar.

Biçikletat

Kush ka një biçikletë, e di mirë se çfarë shqetësimi sjell ruajtja e saj. Mund të jetë ngjarje e rrallë nëse ndodh që mos të ketë rënë njëherë të vetme viktimë e ndonjë hajduti.

I mituri R. Lazi u hetua një kohë të gjatë nga policia për dyshimet se ai mund të ishte një hajdut. Të gjitha problemet iu hapën pasi në dhjetor të 2018-ës, teksa po kalonte me biçikletën MOBIKE, të dëmtuar te kyçi i  sigurisë. Policia u vu në ndjekje të tij, aq më tepër që biçikletat MOBIKE sapo kishin hyrë në modë të përdoreshin në Tiranë, por nga ana tjetër kishte nisur edhe dëmtimi i tyre. Gjatë ndjekjes, Lazi e braktisi biçikletën, por më pas u kap teksa po largohej me vrap.

Por R. Lazi dëshmoi: “Biçikletën nuk e mora dhe as e dëmtova unë. E gjeta pranë servisit ku zhvilloj mësimin pasi jam në shkollën e mesme për Mekanik. Është hera e parë që po e përdor biçikletën e dëmtuar dhe po mendoja ta hidhja”, tha ai. I mituri u tregoi oficerëve se ku e kishte gjetur biçikletën dhe për këtë arsye policia ka marrë në pyetje edhe Emiliano Muratin që ka këmbëngulur se: “Jam djalë punëtor, kam dy biçikleta në servis dhe nuk kam nevojë për biçikleta të tjera”. Në kushtet kur dëshmitë nuk jepnin asnjë detaj tjetër, ndërsa i mituri tregoi vendin ku e kishte gjetur biçikletën dhe se nuk e kishte vjedhur, çështja u pezullua.

E. H. u paraqit në polici shpresëplotë. Filloi të rrëfejë: “E parkova biçikletën time në fillim të “Rrugës së Kavajës”, në vendin e parkimit të biçikletave pranë një banke. Dola nga puna rreth orës 19:30 dhe konstatova se biçikleta nuk ishte aty. Telefonova menjëherë numrin 112 dhe ata më sugjeruan të paraqitesha në Komisariatin numër 3. Biçikleta ime ishte tip “Summa 800”, është me gjashtë marsha, dhe disqe të trashë sportive. Kisha shtatë muaj që e kisha blerë te Dispaceria në vlerën e 170 eurove, te servisi që gjendet aty”. Por policia e pyeti denoncuesin a kishte dokument të biçikletës dhe ai u befasua pasi siç ndodh më së shumti edhe ai vetë e kishte blerë të përdorur.

Hajdini: Personin ku e kam blerë e njoh, ai është servis dhe ka edhe biçikleta.

Telefoni

Në sheshin Skëndërbej një vajzë e re që denoncoi, ende nuk e kupton se si ia vodhën telefonin dhe kompjuterin. “Nuk e kuptoj deklaroi Andia, pasi zakonisht jam shumë e varur nga telefoni dhe shpesh i hedh sytë tek ai. E kuptova që Iphone ma kishin avulluar,  por se si nuk e di”,  pohoi 23-vjeçarja pranë Komisariatit numër 1, një nga zonat më të prekura nga hajdutët. Por Feim Lengo deklaroi në polici në datën 8 shtator edhe një formë më “të butë” të rrëmbimit të telefonit.  

F.Lengo: “Rreth orës 12:30 gjendesha te hyrja kryesore e parkimit nëntokësor, në afërsi të Bankës së Shqipërisë. M’u afrua një djalë i moshës 20 apo 25 vjeç, rreth 170 cm i  gjatë, ishte biond, me flokë të shkurtra me dialekt të Shqipërisë së Mesme. M’u lut t’ia jepja telefonin sa të bënte një telefonatë urgjente. Ja dhashë pa menduar. Sa e mori u largua me vrap. Kisha telefon të markës ‘Samsung Galaxy’”.

Bizneset… në Unazë të Re.. ngado.. në mirëbesim nga punëtorët apo edhe të panjohur

A. Karaj menaxhon një lokal në afërsi të ambientit të Spitalit Amerikan 1. Pasi u mendua disa ditë pasi i mungonte xhiroja ditore e lokalit dhe kur kuptoi se e keqja nuk ishte stafi, u nis drejt policisë.

Karaj: Pasi pyeta gjithë stafin dhe nuk mora asnjë sqarim, u ula dhe pashë kamerat e sigurisë. Vërejta se një person me kapele hyn në lokalin e mbyllur dhe kontrollon sirtarët me radhë. Dua të them se shuma që kanë vjedhur është diku te 100 mijë lekë të reja. Nga pamjet duket që ky person hyn nga dera e pasme e lokalit dhe shkon direkt te sirtarët. Ditën e diel derën e lokalit e ka mbyllur kamerieri, kështu më tha. Por unë dyshoj tek ai, pasi ai ka katër muaj që ka filluar punë aty dhe është i ri”.

Shtëpitë

Hajdutët do bëjnë të vetën, por edhe ju duhet të përpiqeni të parandaloni diçka. Për shembull nuk do ishte keq ta kyçni derën kryesore dhe jo thjesht ta tërhiqni. Nuk ka më delikate sesa një derë e blinduar në rast se ajo nuk mbyllet edhe me çelës. Hajdutët kanë teknika të lehta përmes të cilave mund të hyjnë në banesë e të bëjnë kërdinë. Por kjo këshillë vlen më tepër për ata që jetojnë në apartament. Të tjerët që jetojnë në banesa private duhet të bëjnë akoma edhe më kujdes.

V. Hasani, kur u kthye nga puna, konstatoi se jashtë shtëpisë i mungonte lavatriçja. “Në oborr mund të hyjë kushdo se muret janë të amortizuar, por meqë përveç lavatriçes kanë marrë edhe kaloriferin dhe lavamanin e pjatave mendoj që hajduti mund të jetë ndonjë nga ata që mbledhin sende të vjetra”, shpjegoi për policët 60-vjeçari.

Hasani: “Jetoj në rrugën “4 Dëshmorët” dhe kur u ktheva në banesa pashë që kapaku i lavatriçes ishte hedhur përtokë, ndërsa lavamani ku laja enët ishte shkulur. Kur u binda se i kishin marrë erdha se mos m’i gjen policia”.

Mirë të gjitha, po edhe vulat…?

Okulistja e Poliklinikës numër. 9 pranë “21 Dhjetorit” është edhe ajo në kërkim të hajdutit. Dikush i ka vjedhur vulën profesionale.

Gruaja kallëzon: “Kam qenë e pajisur me një vulë personale profesionale, me të cilën bëj vulosjen e recetave për pacientët. Me këtë vulë vulos edhe recetat që bëhen për vizitat e syve për patentë. Ditën e premte shkova në zyrë dhe nuk e gjeta vulën që e kisha lënë mbi tavolinë. Çelësat e zyrës i mbaj unë, infermierja dhe kush është në turn. Nuk kam dijeni nëse i ka apo jo edhe sanitarja. Vula që ka humbur ka të shkruar emrin tim dhe funksionin tim”.

Megjithatë edhe pse konsiderohen si ngjarje banale këto kallëzime, bëjnë pjesë në shqetësimet e përditshme të qytetarëve të Tiranës. Dhe këto ngjarje janë vetëm maja e ajsbergut, pasi nuk llogariten këtu grabitjet e mëdha me dhunë apo përmes mashtrimit. Natyrisht që nuk është llogaritur as grabitja e Rinasit, autorët e së cilës vazhdojnë të jenë në kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë