Ngjarje

Biblioteka e re Kombëtare / Zv/ministrja: Godina historike nuk cenohet. Privati e ndërton te ish-Garda, shteti e kompeson te Vilat Gjermane

Nga Gazeta Si – Ndërtimi i Bibliotekës së re Kombëtare ka hapur një debat publik mbi paqartësinë e projektit, vendndodhjes së godinës së re dhe se çdo të bëhet me atë aktualen.

Anëtari i kryesisës së Partisë Demokratike, Grigers Muçollari në një dalje për mediat një ditë më parë deklaroi se godina aktuale e Bibliotekës Kombëtare, në qendër të Tiranës do të shembet dhe do të jepet për ndërtim kullash. Gjithashtu ai tha se godina e re do të ndërtohet tek Vilat Gjermane, një zonë jashtë vijë së verdhë të qytetit.

Zv/ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Lira Pipa në një intervistë për Gazeta “SI” shpjegon në detaje procesin e ndërtimit të Bibliotekës së re Kombëtare dhe po ashtu sqaron dhe fatin e godinës aktuale.  Ajo siguron se godina aktuale e Bibliotekës  nuk do të cënohet.

Zv/ministrija e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa

“E rëndësishme të sqarohet fillimisht është se godina historike e Bibliotekës Kombëtare që ndodhet te Pallati i Kulturës nuk do të cënohet. Ne jemi koshient se hapësirat aktuale janë të pamjaftueshme për arkivimin dhe mirëmbajtjen e koleksioneve të librave që ndodhen aty.  Duke parë këtë situatë ne po mendojmë prej kohësh të gjejmë një zgjidhje të situatës dhe mundësinë e një godine të re me kushte moderne që i shkon dhe një qyteti si Tirana” thotë Pipa për Gazeta Si.

Ajo sqaron edhe vendodhjen e Bibliotekës së re Kombëtare dhe thotë se godina e re do të ndërtohet të ish- garda e Republikës, pranë liqenit artificial dhe jo te Vilat Gjermane.

Vendi ku do të ndërtohet godina e re e Bibliotekës Kombetare te ish-Garda

“Duke parë kushtet aktuale të Bibliotekës Kombëtarë është parë e mundur të bëhët një pol i ri kulturor te ish- garda e Republikës, pranë liqenit artificial. Projekti i Bibliotekës së re ose Bibliotekës së dytë Kombëtare do të ofrojë hapësira dhe salla moderne leximi për lexuesit dhe vizitorët. Gjithashtu do të ketë hapësira moderne për arkivimin dhe digjitalizimin e fondit të bibliotekës” deklaron Pipa.

Zv/ministrja shpjegon për Gazeta “SI” se ndërtimi i Bibliotekës së re do të bëhet në partneritet publik -privat.

“Nëpërmjet Korporatës Shqiptare të Investimeve është mundësuar një këmbim i pronës publike me kthimin e një investimi. Ajo çfarë do të ndodhë te Vilat Gjermane e cila është sot pronë publike e vendosur për tu rehabilituar dhe zhvilluar në një dimension krejt tjetër ekonomik për qytetin. Konkursi është hapur për zhvillimin e kësaj prone ku shteti ofron pronën publike dhe në këmbim ai që fiton konkursin mundëson ndërtimin e Bibliotekës Kombëtare tek ish Garda, pranë Liqenit Artificial. Kjo do të thotë se do nuk do të harxhohet asnjë lekë nga buxheti i shtetit për ndërtimin e Bibliotekës së re. Pra ne jemi në një bashkëpunim publik -privat ku Korporata Shqiptare e Zhvillimit shërben dhe si ndërmjetësues por edhe si zhvillues mes Bibliotekës Kombëtare dhe partnerit privat” sqaron Zv/ministrja.

Ajo thotë se ky konkursi është hapur në faqen e Korporatës Shqiptare të Zhvillimit i cili ka afat deri në 10 shkurt.

“Dua të konkludoj se ky është konkursi i hapur në faqen e Korporatës Shqiptare të Zhvillimit ku zyrat projektuese dhe kompanitë mund të konkurojnë deri në datën 10 shkurt për zhvillimin e zonës tek vilat gjermane dhe fituesi më pas ka detyrim të ndërtojë Bibliotekën e re tek garda e Republikës”, vijon zv/Ministrja.

Posteri i publikuar nga MEKI

Pipa thotë se edhe Biblioteka aktuale do të ketë një projeksion të ri, kryesisht ceremonial.

“Biblioteka Kombëtare nuk ikën nga aty. Patjetër edhe aty do të ketë një projeksion të ri ku mendohet më shumë të jetë si një godinë ceremoniale e Bibliotekës për të krijuar dhe një linjë muzeale të të gjitha thesareve të cilat Biblioteka sot nuk i ekspozon dot për shkaqet dhe arsyet që i dimë” përfundon intervistën Zv/ministrja Pipa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë