Nga Gazeta Si – Marco Bezzecchi kundër Fermin Aldeguer. Italiani i “Aprilia Racing” përballë debutuesit të “BK8 Gresini Racing” – dhuruan spektakël në “Pertamina Grand Prix” të Indonezisë.
“Tissot Sprint”, një duel që do të mbahet mend gjatë. Pas një nisjeje të dobët, Bezzecchi realizoi një rikthim spektakolar, duke kaluar pilotin e Ducati-t në xhiron e fundit për të fituar vendin e parë.
Raul Fernandez (Trackhouse MotoGP Team) e mbylli garën në vendin e tretë, duke siguruar podiumin e tij të parë në MotoGP, pasi u nis nga rreshti i parë.
Alex Marquez (BK8 Gresini Racing MotoGP) kaloi vijën e finishit në një vend të 4 të qetë, duke forcuar pozicionin e tij në renditjen e përgjithshme, ndërsa Joan Mir (Honda HRC Castrol) kompletoi top pesëshen e parë.
Luca Marini u rendit i 6, ndërsa Marc Marquez pas penalitetit, rekuperoi në të 7. Dy pikët e fundit të Sprint-it shkuan për Franco Morbidelli-n dhe Fabio Di Giannantonio-n (Pertamina Enduro VR46 Racing Team).
Ndërsa Francesco Bagnaia (Ducati Lenovo Team) – fitues i Sprint dhe Grand Prix javën e kaluar – u rendit i 14-ti, 29 sekonda pas fituesit. Pavarësisht një të shtune zhgënjyese, “Ducati Lenovo Team” siguroi matematikisht titullin për skuadrat.
Më herët Marco Bezzecchi (Aprilia Racing), vendosi “pole position” duke konfirmuar formën e shkëlqyer në garat e fundit.
Pas tij u renditën “rookie” Fermin Aldeguer (BK8 Gresini Racing MotoGP) dhe Raul Fernandez (Trackhouse MotoGP Team).
Ndërkohë, Marc Marquez (Ducati Lenovo Team) bëri paraqitjen më të dobët në Provat Zyrtare të 2025, duke u renditur në vendin e 9.
Në aspektin teknik, koha 1’28.832 e Bezzecchit ishte xhiro më e shpejtë në Mandalika, ndërsa kampioni i sapokurorëzuar i Botës, Marc Marquez, do të niset nga rradha e tretë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



