Gazeta Si – Pa u mbushur as 24 orë nga tragjedia me 3 të vdekur te mbikalimi i TEG-ut, dy viktima janë shënuar këtë të premte brenda një ore në dy aksidente të ndryshme në Durrës dhe Kavajë.
Një person humbi jetën në Durrës, pasi u përplas nga një betoniere. Ngjarja ndodhi në lagjen 18 të qytetit bregdetar, pranë spitalit rajonal, në vendin e njohur nga banorët “Te Dyli”. Viktima po lëvizte me biçikletë, kur u përplas për vdekje nga mjeti i tonazhit të rëndë.
Momentalisht, identiteti i viktimës nuk dihet. Në vendngjarja ndodhet policia e cila ka ndaluar shoferin e betonieres dhe ka nisur punën për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.

Pak pas mesditës së kësaj të premteje, një tjetër aksident me vdekje i ka marrë jetën një vajzë të re në Kavajë.
Një automjet “Golf” me targa AA 045 SJ ka rënë në një kanal, në rrugën e Varrezave. Bëhet fjalë për një 30-vjeçare, R.C., e cila humbi kontrollin e makinës me të cilën udhëtonte dhe përfundoi në një kanal në anë të rrugës.
Ajo gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes. Paraprakisht, shoferja dyshohet të ketë qenë duke lëvizur me shpejtësi mbi normat e lejuara.
Makina e cila kishte përfunduar në kanal në një fshat në Kavajë është nxjerrë nga një vinç. Rrethanat e ngjarjes momentalisht janë të paqarta. Më shumë detaje pritet të kemi në vijim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




