Gazeta Si – Me vota 84 pro dhe 3 kundër, Niko Peleshi u përzgjodh si kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për legjislaturën e XI-të, ndërsa opozita protestoi dhe bojkotoi procesin e votimit.
Procesi i votimit, ku morën pjesë 87 deputetë, ishte i fshehtë, siç e parashikon dhe kuadri ligjor. Në fjalën e tij, Peleshi tha se ky post ishte “një nder e përgjegjësi e madhe”, të cilin e pranonte me përulësi dhe përkushtim.
Ai kërkoi nga deputetët që të vendoset një standard i ri në Kuvend, duke u zbatuar me përpikëri Kushtetuta dhe Kodi Etik.
“Besimi që më dhatë sot, duke më zgjedhur kryetar të Kuvendit, është një nder dhe përgjegjësi e madhe. Përvoja ime e punës, dijet dhe energjitë e mia do të vihen në shërbim të këtij kuvendi. Jam ftuar nga Rama dhe PS për të kryer këtë detyrë të rëndësishme në një moment historik për Shqipërinë. Ndjehem mirënjohës për ta kthyer këtë në një shtysë në këtë detyrë. Do të bëjë gjithçka mundem për të siguruar fjalën në parlament bazuar në ligj. Do të doja të vendosim një standard të ri të respektimit të Kushtetutës dhe Kodit të Etikës”, tha Peleshi.

Edhe pse Peleshi fitoi pozicionin si kryeparlamentar, Partia Demokrati zgjodhi të bojkotojë procesin e votimit për socialistin.
Në fakt, Peleshi, në vend të votave pro ose kundër nga demokratët, në kuti mori posterat e opozitës, në të cilat ndodheshin figurat e socialistëve me akuza për korrupsion.
Nga 140 deputetë, të gjithë dhanë betimin e tyre, përveç të zgjedhurve të Partisë Social-Demokrate, Tom Doshit dhe Sabina Jorgos, të cilët hoqën dorë nga mandati i tyre si deputetë.
Të dy janë zgjedhur në qarkun e Shkodrës nga lista e mbyllur dhe sipas burimeve Doshi do të “aktivizojë” listën e hapur të Shkdorës.
Sipas rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, mandati pritet t’i kalojë dy më të votuarve, Besnik Brahimi 3.614 vota dhe Shkurt Lasku 2.678 vota.
Kryesuesi i seancës, Vasil Llajo, tha se deputetët që nuk kanë mundur të bëjnë betimin këtë të premte, kanë mundësi që këtë të drejtë ta ushtrojnë në një moment të dytë
E gjithë seanca e sotme, deri përpara zgjedhjes së Peleshit, u drejtua nga Vasil Llajo, si më i vjetri pas Sali Berishës dhe Tritan Shehut, këta të fundit të cilët refuzuan të merrnin këtë rol.
Në katër vitet e ardhshme, Partia Socialiste do të përfaqësohet me 83 deputetë, Partia Demokratike me 50. Partia Socialdemokrate do të ketë tre mandate, Mundësia dy karrige në parlament ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




