Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka bërë një deklaratë për shtyp pas betimit në Presidencë të anëtarit të saj të gjashtë Përparim Kalo, i cili e bën zyrtarisht funksional këtë institucion kaq të rëndësishëm të drejtësisë.
Në deklaratën për shtyp, Gjykata Kushtetuese falënderon partnerët ndërkombëtarë që kontribuan për rinisjen e veprimtarisë dhe premton se do të kryejë me integritet misionin e saj.
“Sot është një ditë e shënuar për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Me emërimin e dy anëtarëve të rinj të saj krijohet kuorumi i nevojshëm ligjor për rinisjen e funksionalitetit dhe veprimtarisë vendimmarrëse që pas ndërprerjes në mars të vitit 2018.
Ringritja e Gjykatës Kushtetuese ka qenë një kërkesë jetike për vendin, për shkak të rolit dhe kompetencave që ajo ka si garante e Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, në mbrojtje të demokracisë, lirive dhe të drejtave themelore të individit. Ky proces ka qenë i gjatë e kompleks dhe ka kërkuar bashkëpunimin e shumë institucioneve shtetërore dhe më gjerë. Gjithashtu një mirënjohje e veçantë shkon edhe për mbështetjen e pakursyer të dhënë nga partnerët ndërkombëtarë për përmbylljen me sukses të këtij procesi.
Gjykata Kushtetuese është e angazhuar të ushtrojë funksionet me integritet dhe qëndrueshmëri për përmbushjen e misionit të saj kushtetues, duke pasur besimin e plotë të kapërcimit të sfidave që janë përpara saj, në respektim të vlerave dhe standardeve me të rëndësishme kushtetuese”, shkruhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




