Nga Gazeta ‘Si’- Më shumë se në terren, fushata politike për zgjedhjet e 11 majit, ‘po zhvendoset’ në platformat sociale.
Ajo që nisi si një rubrikë komunikimi “sy m’sy” e kryeministrit Edi Rama ku ai u përgjigjet pyetjeve të ndjekësve, u ndoq pak a shumë edhe nga kreu i PD Sali Berisha i cili disa herë po zëvendëson konferencat me gazetarët, me qytetarët në Facebook.
Mirëpo, deri tani, një analizë e ‘matjes së forcave’ në rrjetet sociale tregon se Partia Socialiste po arrin të gjenerojë më tepër angazhim dhe po korr frytet e një makinerie komunikimi më të organizuar online.
Kështu sugjerojnë të dhënat e vëna në dispozicion për Gazetasi.al nga Terra Data Analytics, një kompani e analizimit të të dhënave digjitale dhe e marketingut digjital, e cila ka në fokus zgjedhjet elektorale në disa shtete duke parashikuar edhe rezultatet e sakta.
(Raporti është një analizë e performancës së PS dhe PD në rrjetet sociale për periudhën shkurt vs mars, bazuar në numrin e postimeve, reagimet mesatare për postim, trendet e angazhimit nga muaji shkurt në mars si dhe audienca e secilës parti.)
Socialistët në trend rritës, demokratët prirje stagnuese
Është pak por e sigurt që të dyja partitë kanë rritur aktivitetin në rrjetet sociale në mars, ndërsa fushata ishte jo shumë larg pragut.
Por, referuar të dhënave, Partia Socialiste ka qenë më aktive dhe ka patur trend rritës ndryshe nga PD, e cila pavarësisht se në mars e ka rritur aktivitetin, ka mbetur në trend të sheshtë dhe disa herë, edhe rënës.
Në mars PS publikoi më shumë se në shkurt, veçanërisht në Facebook ku postimet arritën mbi 2 mijë (një rritje modeste në krahasim me rreth 1.8 mijë postime në shkurt).
Edhe në Instagram trendi është rritës, me afërsisht 200 postime më shumë se muajin paraprak. Përveç volumit të postimeve, PS shënoi edhe rritje në mesataren e reagimeve për postim gjatë marsit.
Ndërkohë, volumet e demokratëve mbetën më të ulëta se ato të socialistëve.

Gjatë marsit, PD publikoi rreth 1.5 mijë postime në Facebook (duke shënuar një rritje krahasuar me 1.2 mijë postime në shkurt). Në Instagram u publikuan rreth 400 postime gjatë marsit nga eksponentët demokratë.
Por, edhe përsa i përket angazhimit të audiencës, prirja e përgjithshme e PD ishte pak a shumë stagnuese ose në rënie.
Sipas Terra-s, kjo prirje mund të jetë ndikuar edhe nga ndryshimet brenda vetë PD-së.
Gjatë kësaj periudhe, vëmendja e audiencës demokrate ishte e ndarë midis disa aktorëve (p.sh. ish-kryetari Lulzim Basha ndodhej jashtë strukturave të PD zyrtare dhe aktiv në një koalicion më vete, ndërsa Sali Berisha si kryetar de facto i PD-së kishte audiencën e vet personale).
Për pasojë, angazhimi total në platformat e PD-së zyrtare nuk pësoi rritje domethënëse pavarësisht shtimit të postimeve.
PS po depërton më shumë te të rinjtë
Demografikisht, si audienca e PS ashtu edhe PD, dominohen kryesisht nga meshkujt. Por, sipas të dhënave nga Terra, socialistët me angazhimin e tyre po depërtojnë më shumë tek grupmoshat e reja, sesa demokratët.
Në fakt, të dyja partitë kanë audiencë më të madhe në Facebook sesa në Instagram e cila konsiderohet një platformë për një grupmoshë më të re, por, kjo është më e theksuar tek PD.

Sipas Terra, kjo lidhet me faktin se audienca e PD-së përbëhet në masë të madhe nga grupmosha dhe segmente elektorale më tradicionale, të cilët janë më aktivë në Facebook se sa në Instagram.
Ndërkohë, PS ka arritur një prani më të mirë në Instagram (sidomos nëpërmjet figurave të reja/ministra aktivë), duke e çuar audiencën e vet në Instagram në 37% të totalit, krahasuar me 31% të PD-së.

‘Harta’ gjeografike e ndjekësve…sipas bastioneve tradicionale
Nga këndvështrimi gjeografik, ajo që vihet re është se audienca e të dy partive, është respektivisht e përqendruar në zonat ku ata kanë bazë më të fortë mbështetëse.
Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e ndjekësve të PS vijnë nga Tirana dhe qarqe të mëdha si Fier, Berati apo Vlora ku PS tradicionalisht ka bazë të fortë mbështetëse.

E njëjta gjë ndodh edhe me PD-në.
Ndjekësit vijnë kryesisht nga Dibra, Kukësi apo Lezha që janë zona me interes për elektoratin demokrat.

Prilli, i cili është zyrtarisht muaji i fushatës elektorale pritet që të ketë një intensitet më të shtuar të aktivitetit të të dyja partive në platformat virtuale, mirëpo, deri tani PS udhëheq më ndjeshëm.
A do të përkthehet ky trend edhe në vota?!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.