Në Gjykatën Kushtetuese është zhvilluar ditën e enjte seanca plenare për padinë e ngritur nga Avokati i Popullit për ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit, që i japin kësaj të fundit të drejtën e përgjimit të qytetarëve pa qenë nevoja e marrjes së miratimit nga prokuroria apo gjykatat.
Avokati i Popullit pretendon në padinë e ngritur se ligji në fjalë bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe me Konventën Europiane për të drejtat e njeriut.
Seanca plenare u zhvillua në praninë e Avokatit të Popullit dhe Drejtorit Ekzekutiv të Komitetit Shqiptar të Helsinkit në cilësinë e kërkuesve, si edhe përfaqësuesit të Presidentit të Republikës, Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit në cilësinë e subjekteve të interesuara.
Kuvendi dhe Qeveria kërkuan rrëzimin e kërkesave të Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ndërsa Presidenca kërkoi pranimin e tyre sipas objektit të paraqitur, si dhe verifkimin nga Gjykata Kushtetuese të përputhshmërisë me kushtetutën edhe të neneve 5 neneve të tjera të ligji për Policinë e Shtetit.
Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsnikut kërkojnë rrëzimin e nenit të ligjit që ka të bëjë me masa të veçanta. Sipas këtij neni, gjatë ushtrimit të veprimtarisë informative dhe gjurmuese për parandalimin e veprave penale, identifikimin, apo lokalizimin e autorëve të tyre, Policia e Shtetit mund të përgjojë në distancë ose gjurmojë të dyshuarit përmes teknikave të veçanta të lokalizimit dhe identifikimit të tyre.
Presidenca nga ana tjetër ngriti pretendime se edhe nenet nga 1 deri të 5 të ligjit të miratuar në fund të tetorit të kaluar nga ana e Kuvendit. Në këto nene përkufizohet “vepimtaria informative”, sipas të cilët konsiderohet çdo veprim, apo masë e Policisë së Shtetit që grumbullon informacione përmes përdorimit të teknikave të gjurmimit, apo mbikëqyrjes së veçantë të mjeteve të komunikimit joelektronike.
Neni 2 ngre një komitet kombëtar për politikat e parandalimit dhe luftën kundër krimit të organizuar, që drejtohet nga ministri i Brendshëm dhe në përbërje të të cilit është edhe drejtuesi i SPAK. Presidenca thotë se me këtë nen Qeveria merr kompetencat e prokurorisë dhe e vendos organin e akuzës nën kontrollin e Qeverisë.
Gjykata Kushtetuese u tërhoq për vendim, që pritet të merret në ditët në vijim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



