Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e Mirënjohjes Kombëtare për forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve, tha se Shqipëria arriti të reagojë me efikasitet ndaj betejës me zjarret.
Rama tha se avionët zjarrfikës janë ndihmës të rëndësishëm, por theksoi se forca kryesore mbetet ajo në tokë. Ai shtoi se së shpejti Shqipëria do të ketë në zotërim dy avionë zjarrfikës duke i hapur rrugën ngritjes së flotës përkatëse.
“Avionët nuk janë magjistarë ata janë ndihmës të fuqishëm që nuk na kanë munguar falë mekanizmit evropian, por nuk janë asesi të plotfuqishëm. 22 avionë të gjeneratës së fundit nuk e penguan dot përbindëshin e flakëve ta digjte dhe përcëllonte gjirin e Izmirit duke hapur një plagë të dhimbshme në tokën e Turqisë mike. Avionët janë krah i fuqishëm në betejë edhe në do të kemi së shpejti flotën e avionëve tanë që do të nisë të ndërtohet me dy avionë zjarrfikës por magjia është bashkërendimi dhe sakrifica në tokë”, tha Rama.
Rama më tej kërkoi që të nisë në shkollat e vendit një program për edukimin dhe ndërgjegjësimin për pyjet, me fokusin te mbrojtja dhe ripërtëritja e tyre.
“Ne mund të bëjmë më shumë dhe më mirë me parandalim më të mençur, pastrim pyjesh, krijim korridoresh natyrore, futje në përdorim të më shumë dronëve për monitorim me kamera termike dhe futjen në përdorim gjerësisht të dronëve për mbjelljet e reja në sipërfaqet e djegura, teknologji me sisteme alarmi të hershëm dhe një funksionim më i mirë i qendrave të integruara të kontrollit për reagim më të shpejtë me mjete tokësore. Këto nuk na çojnë larg pa ndërgjegjësimin dhe edukimin. Çdo shkollë do të bëhet pjesë e vëmendjes, mbrojtjes dhe ripërtëritjes kombëtare për pyjet, ku nxënësit do të marrin pjesë në mbjellje dhe përkujdesje”, deklaroi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




