Mjedis

Beteja e humbur deri tani me guroret. Qeveria zgjeron Parkun për të shpëtuar Tomorrin

Qeveria ka hartuar një projektvendim që synon zgjerimin e kufirit të Parkut Kombëtar të Malit të Tomorrit, duke synuar kështu edhe mbylljen e firmave të guroreve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë.
Pas përpjekjeve dyvjeçare të qeverisë dhe betejës me gjykatat ku doli e humbur, qeveria ka gjetur zgjidhjen për të mbyllur firmave e guroreve, duke zgjeruar me vendim të posaçëm vijën e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar. Kështu Ministria e Mjedisit ka hedhur për konsultim projektvendimin “Për zgjerimin e sipërfaqes së Parkut Kombëtar “Mali i Tomorit””.
“Zgjerimin e sipërfaqes së parkut kombëtar “Mali i Tomorit”, me një sipërfaqe prej 1383.0758 ha, sipas hartës dhe kufijve të paraqitur në tabelën e koordinatave, përkatësisht në shtojcat 1 e 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi”, thuhet në pikën 1 projektvendimit të siguruar nga Gazeta “Si”.
Ky zgjerim me 1383 hektarë në total do ta çojë sipërfaqen e parkut në 26106.1758 hektarë. Zona e zgjerimit të parkut përfshin zona bujqësore dhe pyjore, shkurre e kullota. Sipas zonimit, zona shtesë bën pjesë në zonën e përdorimit tradicional (ZPT), ku zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes.

Harta e projektit të qeverisë ku zgjerohet zona e Parkut, e ngjyrosur me të kuqe


Mbi bazën e këtij projekti zona do të merret në mbrojtje nga Administrata Rajonale e zonave të Mbrojtura në qarkun e Beratit, e cila do të kryejë funksionet e administratës së Parkut të Kombëtar “Mali i Tomorit”.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me ministritë e tjera të linjës dhe me njësitë e vetëqeverisjes vendore, me institucionet kërkimore-shkencore, me përfaqësuesit e biznesit dhe të pronarëve privatë, organizata të shoqërisë civile, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, hartojnë planin shtesë të menaxhimit të sipërfaqes së zgjeruar, si pjesë e planit të menaxhimit të Parkut Kombëtar, i cili miratohet nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura mjedisore.

Sipërfaqja e parkut që zgjerohet


Dy ditë më parë, Këshillit Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi vendimin për zgjerimin e Parkut Kombëtar të Tomorrit, pasi gjykata rrëzoi vendimin e 2018 të qeverisë. Sipërfaqja e Parkut Kombëtar të Tomorrit ishte rreth 24 mijë e 800 ha dhe u zgjerua me rreth 1.400 ha duke shkuar mbi 26 mijë ha. Pak përpara nisjes së mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Territorit, ministri Klosi u shpreh se me vendimin e KKT i jepet fund shfrytëzimit. Ai tha se beteja vijon dhe se 10 guroret që kundërshtojnë vendimin do të kalojnë në filtër për aktivitetin e tyre.

Faksimile e projektvendimit të Qeverisë


“Jemi para vendimit të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, në fakt për të korrigjuar një gabim që do të thosha ka plot gjëra korruptive në të. Vendimi i Sali Berishës në 2012 kur ka shpallur zonë të mbrojtur malin e Tomorit ka përjashtuar në mënyrë abuzive këtë zonë, e cila më pastaj u krijua si gangrenë, për të gjithë zonën e mbrojtur të malit të Tomorit, ku na kërkohet tashmë të rikuperojmë një gabim që në qoftë se 7 vite më parë do ishte bërë në mënyrë të ndershme nga specialistë apo nga politika e asaj kohe, sot do të kishim një zonë të mbrojtur, një mal me vlera të mëdha ekonomike, në qoftë se gurorët nuk do të funksionojnë”, theksoi Klosi.
Në vitin 2018 qeveria mori vendim për mbylljen e gurorëve, por firmat private që nxirrnin e përpunonin gurë në këtë zonë ngritën padi në gjykatë. Gjykata e Apelit Administrativ vendosi më 17 korrik që të shfuqizojë vendimin e qeverisë për ndalimin e shkatërrimit të Malit të Tomorit nga kompanitë që nxjerrin pllaka guri. Gjykata e quajti të paligjshëm vendimin e qeverisë dhe kërkoi që kompanitë që shkatërruan malin e Tomorit të rikthehen në punë duke sjellë përplasjen me policinë, ndërsa është e vendosur për të mos lejuar shkatërrimin e malit dhe vendimin sot e kaloi në Këshillin Kombëtar i Territorit.

Tashmë sipas afateve të fateve të parashikuara në ligj, pas 30 ditësh, projektvendimi shkon për miratim në Këshillin e Ministrave, duke u kthyer kështu në një akt ligjor, i cili do të zgjerojë Parkun Kombëtar në Malin e Tomorit dhe do të ndalojë aktivitetin e nxjerrjes së gurit në zonat që aktualisht janë të pambrojtura. Por gjithsesi duhet pritur edhe hapi që do të ndërmarrin 10 firmat e guroreve që operojnë në këtë zonë, nëse do të ankimojnë sërish këtë VKM të qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë