Politike

Beteja e fundit për bashkitë, Veliaj betohet nesër, në Shkodër afat deri më 5 gusht

Deri më 10 gusht pritet të realizohet konstituimi i të 61 këshillave bashkiakë dhe betimi i kryetarëve të rinj të bashkisë. Si asnjëherë tjetër socialistët do të drejtojnë të gjitha bashkitë, duke përjashtuar Finiqin, pasi i është dhënë aletatit të saj, partisë MEGA.
Sipas përllogaritjeve deri më 10 gusht është afati ligjor i qëndrimit në detyrë i kryebashkiakëve aktualë dhe se përtej kësaj date nuk ushtrojnë asnjë kompetencë. Kështu ligji i pengon të drejtën e firmës dhe nuk do të kenë akses në buxhet dhe në të ardhurat.


Partia Socialiste ka udhëzuar menjëherë që të nisin betim e kryebashkiakëve dhe konstituimet e këshillave të rinj. Sipas udhëzimit të dhënë brenda datës 10 gusht duhet të jetë përmbyllur një proces. Sipas ligjit për “Vetëqeverisjen vendore”, nenit 60, janë gjykatat e rretheve që bëjnë të mundur njohjen e mandatit të kryetarit të bashkisë dhe më pas të këshillave bashkiakë. Ky proces ka qenë i detyrueshëm për të faktin se dhe KQZ-ja nuk i ka certifikuar rezultatet me 5 votat, si pjesë e votimit të cilësuar që parashikon ligji.

Ashtu si në zgjedhjet e 30 qershorit, problem mbeten ato bashki të djathta, që pritet të bëjnë rezistencë duke kundërshtuar dorëzimin e zyrave. Shkodra shihet si më problematikja në këtë proces dhe gjithashtu bashkitë si Kamza, Kukësi apo Bajram Curri.

Protesta para bashkisë së Devollit


Bashkia e parë ku të djathtë bënë rezistencën e tyre ishte ajo e Devollit. Kryebashkiaku i djathtë Bledjon Nallbanit nuk pranoi që të dorëzonte zyrën dhe për këtë ishin mbledhur dhe dhjetëra mbështetës të opozitës që nuk lejuan që kryetar i ri i bashkisë, i zgjedhuri nga PS-ja, Eduard Duro.
Kjo bëri që Duro të betohej në ambientet e nën prefekturës, ndërsa më pas më mbështetësit e PS-së të shpërthenin zyrat e bashkisë, pasi demokratët u larguan nga zyra me mbarimin e orarit zyrtar.
“Pushteti i paligjshëm i 6% po uzurpon me dhunë qeverisjen lokale, kundër vullnetit të popullit. Ky regjim kriminal dhe plaçkitës po hyn në rrugën e verbër të përplasjes me popullin e tij. Sot hajdutët në pushtet ndjehen të mbrojtur se kanë polici speciale, gaz lotsjellës dhe mercenarë, por nesër do të kenë fatin që meritojnë hajdutët dhe banditët!”, do të shprehej Basha në një postim në rrjetet sociale, pasi bashkia e Devollit, u rrethua nga policët.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/photos/a.757503284300855/2535969686454197/?type=3&theater


Gazeta Si ka mësuar ndërkaq se nesër pritet të bëhet betimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Këshilli pritet të konstituohet dhe më pas Veliaj për herë të dytë radhazi pritet të bëjë betimin.
Ndërsa kryebashkiaku i ri i Shkodrës, Valdrin Pjetri pritet të betohet më 3 ose me 5 gusht. Pikërisht kjo ceremoni pritet me interes për faktin se kryebashkiakja në detyrë, Voltana Ademi ka deklaruar se nuk do ta lejojë që ta lëshojë zyrën socialistit dhe se nuk pranon që qyteti të qeveriset nga 6% e votuesve.

Kryebashkiakja Voltana Ademi


Por tashmë socialistët e kanë gati skemën e zhvillimit të betimit të të zgjedhurve të tyre, ata mund të zhvillojnë këto ceremoni në institucionet ku ato drejtojnë, si në prefektura apo në nënprefektura. Dhe më pas që të realizojnë mundësinë e marrjes në dorëzim të bashkive, duke bindur demokratët që të mos bëjnë presione apo duke i marrë me anë të policisë këto institucione.
Ndërkaq socialistët prej kohësh kanë paraqitur ofertën e tyre nda administratës së djathtë në bashkitë që njihen si bastione të PD-së.
Kryesocialisti Edi Rama që nga mbledhja e Asamblesë së PS-së, ka dhënë direktiva të qarta që të mos realizojë spastrime, duke i garantuar punonjësve të administratës qëndrimin në punë.

Kryesocialisti Edi Rama duke folur në Asamblenë e PS-së


“Dua ta them që sot, sepse është gjëja e fundit që dëshiroj që të ndodhë, do të dalë jashtë nga kjo familje e madhe politike çdo kryebashkiak që do bëjë gabimin të mendojë se tani që ka marrë mandatin mund të bëjë pa njerëzit dhe mund të bëjë dhe pa ne. Revolucioni imagjinar i administratave bashkiake, e patë, ishte një turp, u kthye në një disfatë shembullore për udhëheqësit, organizatorët dhe për ata më të verbrit, janë jo pak ata që kaluan vijën e kuqe të ligjit dhe sot që flasim nuk flenë në shtëpi. Patjetër që për të gjithë ligji duhet të veprojë sipas shkeljes që kanë bërë, por dua ta them shumë qartë, që, kush ka qenë thjesht një viktimë e presionit për të ardhur në bulevard nuk duhet të preket dhe nuk ka pse të preket për këtë arsye në të drejtën e tij që të vazhdojë punën në administratat, apo në ndërmarrjet bashkiake të bashkive që nuk i fituam me kundërshtarë, por që 30 qershori na i ka lënë si barrë për të treguar kush jemi. E kam thënë shumë herë në fushatë dhe do dëshiroja ta dëgjonin shumë mirë në radhë të parë kryetarët e bashkive që janë këtu: asnjë grua, asnjë vajzë, në radhë të parë, nuk do të largohet nga puna në asnjë nga bashkitë e djathta që nuk janë më në duart e kryebashkiakëve të djathtë. E thashë edhe më parë, larg qoftë, mund të dalë dikush dhe të bëjë të kundërtën, por, për sa na takon”, deklaroi Rama në mbledhjen e Asamblesë.
Kryesocialisti kërkoi ndalimin e revanshit ndaj demokratëve, por ata do të qëndrojnë në punë në rast se e kanë fituar sipas sistemit të meritës.


“Hyrje prej ushtrie fitimtare partiake në kërkim të zbrazjes së vendeve të punës nga ata që janë aty dhe të mbushjes së vendeve të punës me ata që vijnë pa asnjë kriter dhe karar, nuk do të lejohet. Nuk diskutohet që çdo vend i zënë me kushërillëk, me dallavere të çdo natyre apo çdo vend i zënë nga njerëz që nuk kanë lidhje fare me punën për të cilën paguhen, as me meritën që duhet të ketë dikush për atë pozicion, nuk ka se si të justifikohet dhe as se si të mos lirohet por gjithçka do të zhvillohet në mënyrë të strukturuar me një sistem që besoj do të marri dhe aprovimin e asamblesë kombëtare”, theksoi Rama.
Kjo thirrje shihet si një ftesë që socialistët i bëjnë demokratët që të mos kenë ndonjë rebelim gjatë ndërrimit të kryebashkiakë nga të djathtë në të majtë, duke i premtuar mos realizimin e spastrimeve masive në administratë.

Ndërkaq të djathtët përveç përballjes po ndjekin dhe betejën ligjore, ku vetë Ademi në emër të shoqatës së bashkive të djathtë ka depozituar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim nëse zgjedhjet ishin të ligjshme ose jo, pas presidenti Meta kishte nxjerrë një dekret për anulimin e zgjedhjeve.

Faksimile e kërkesës së bashkive drejtuar Kushtetueses


Konkretisht, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka kërkuar: “1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/ procesit zgjedhor të zhvilluar me 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë dhe si rrjedhojë, konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve; Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019 në përputhje me germën “d” të nenit 131 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë