Lojëra me Dore

Beteja e fundit e Osakës/ Jo konferenca shtypi, mbrohet shëndeti mendor

Naomi Osaka është gati për një betejë tjetër. Pas impenjimit të saj në lëvizjen “Black Lives Matter”, tenistja japoneze ka zbritur në “fushë” për të mbrojtur shëndetin mendor të sportistëve me një gjest demonstrativ të rëndësishëm: nuk do të jetë e disponueshme për asnjë konferencë shtypi pas ndeshjes gjatë turneut Roland Garros.

Këtë vendim Osaka e ka bërë të ditur me një postim në rrjetet sociale. “Përshëndetje të gjithëve! Uroj të jeni mirë! Po ju shkruaj për t’ju thënë se nuk do të paraqitem në asnjë konferencë shtypi gjatë turneut Roland Garros. Kam konstatuar se shpesh njerëzit nuk kanë respekt për shëndetin mendor të sportistëve. Shpesh ndodh që na bëhen të njëjtat pyetje 10 herë, në raste të tjera na bëjnë pyetje që insinuojnë dyshime të rënda në mendjen tonë”, – ka shkruar Osaka.

Konferencat janë bërë të bezdisshme për japonezen. “Unë vetë, por edhe ju besoj, kemi parë lojtarë të shkatërruar gjatë intervistave pas një humbjeje të rëndë. Mendoj se është njësoj sikur ta marrësh me shkelma një njeri që është i shtrirë në tokë”.

Naomi Osaka ka sqaruar se nuk është një qëndrim personal kundër turneut francez. “Kam raporte shumë të mira me shumë gazetarë, por nëse organizatorët mendojnë se do të më kërcënojnë me gjobë për të ndërruar mendje, duke menduar se do të injoroj shëndetin mendor të sportistëve, më mbetet vetëm të qesh. Dhe shpresoj që paratë e gjobave të mia të shkojnë për ndonjë ent, që merret me shëndetin mendor”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë