Kosova

Beteja e Facebook / Vetëvendosja dhe Albin Kurti mundin kundërshtarët në 6 ditët e para të fushatës

Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa fushata zgjedhore në Kosovë ka nisur prej thuajse një jave, si krerët e opozitës ashtu edhe kryeministri Albin Kurti nuk janë fokusuar vetëm tek narrativa politike dhe premtimet nëpër tubime.

Albin Kurti, Lumir Abdixhiku, Bedri Hamza dhe Ramush Haradinaj e kanë zhvendosur një pjesë të fushatës edhe në rrjetet sociale, kryesisht në Facebook.

Por sipas një analize të detajuar, të sjellë nga Terra.marketing, (një kompani e analizimit të të dhënave digjitale dhe e marketingut digjit) vetëm kryeministri Albin Kurti ia ka dalë ta shndërrojë këtë rrjet social në një mjet të fuqishëm komunikimi, duke lënë pas liderët e opozitës dhe duke i mbajtur ndjekësit të përfshirë e aktivë.

Analiza nga Terra merr nën shqyrtim 10 parametra matës: Numri i Fansave, “Talking About”, Reagimet, Numri i Postimeve, Angazhimi i Përgjithshëm, Max Reaction, Rritja, Angazhimi me Imazhe, Angazhimi me Video dhe Reagimet e Ndjekësve.

Nga analizimi i këtyre parametrave vihet re se Kurti po dominon në të gjitha përballjet duke e fituar duelin e Facebook-ut.

Rezultatet e dueleve

-Albin Kurti 10 vs. 0 Lumir Abdixhiku

Nga marrja nën shqyrtim e parametrave të mësipërm, rezulton se në një përballje mes kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ky i fundit do të fitonte 10: 0 duke qenë se i ka më të larta të gjithë parametrat.

Kurti ka një rritje të ndjekësve me 93% ndërsa Abdixhiku me 18%.

Albin Kurti 10 vs. 0 Ramush Haradinaj

Edhe më e thellë është diferenca mes Kurtit dhe kreut të Aleancës për Ardhmërine e Kosovës, Ramush Haradinajt i cili siç shikohet nga tabelat, nuk arrin dot që ta konkurrojë Kurtin.

Angazhimi, reagimet dhe përfshirja vizuale janë në anën e Kurtit.

Albin Kurti 9 vs. 1 Bedri Hamza

Nga liderët e tjerë të opozitës, Bedri Hamza i cili është në krye të listës së Partisë Demokratike të Kosovës, arrin të fitojë një pikë në rritjen e ndjekësve me një normë prej 55%, por gjithsesi ngelet prapa Kurtit.

Por si janë trendet e reagimeve?

Në një analizë të performancës së partive në Facebook, për periudhën (janar vs dhjetor 2024), Terra konstaton se ka rritje deri në +58.04%, +40.35% dhe +35.08% për tri parti dhe ulje rreth -7.88% për njërën parti.

Rritja është përkatësisht për VV, LDK dhe PDK ndërsa ulja për AAK.

Partia në pushtet VetëVendosja, deri tani ka numrin më të madh të ndjekësve dhe një rritje të ndjeshme në reagime. Postimet janë ende më pak se pjesa e audiencës, ndaj ka hapësirë për të rritur frekuencën ose cilësinë e përmbajtjes.

LDK mban një raport thuajse të barabartë mes audiencës dhe postimeve, me një trend pozitiv.

Interesante është PDK-ja ku edhe pse interesi për të po rritet, numri i postimeve është dukshëm më i lartë se audienca. Kjo “ngopje”, sipas Terrës, mund të nënkuptojë se nevojitet më shumë përmbajtje cilësore ose diversifikim i mesazhit.

Ndërkohë me trend negativ dhe postime mbi nivelin e audiencës paraqitet AAK-ja, strategjia digjitale e së cilës duket e shkëputur nga pritshmëritë e publikut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë