Futboll

Besnikëria s’ka vdekur, por po vdes

Lojën e nisi Florentino Perez, më pas e vazhduan rusët, e në fund e morën në dorë arabët. Futbolli ka ndryshuar dhe jo domosdoshmërisht për mirë.

Kur Luis Figo kalonte nga Barcelona tek Reali i Madridit për 60 milionë euro, të paktë ishin ata që e menduan se kohës së besnikërisë në sportin më popullor në planet po i vinte fundi. Do të kuptohej, ndoshta jo të mirëpritej, kalimi i tij tek një skuadër tjetër, por tek Reali askush nga tifozët katalanas nuk e kapërdinte dot.

Florentino Perez nuk donte t’ja dinte dhe tre vite më vonë goditi sërish, duke afruar David Beckham nga Manchester United, për të kompletuar atë që analistët e komentatorët sportivë e quajtën “Los Galaktikos”, galaktikët.

Rregullat e lojës ndryshuan, si brenda fushës, ashtu edhe jashtë saj. Në kampionatet elitare europiane nisi interesimi i miliarderëve rusë. I pari ishte Roman Abramovich, i cili pasi bleu Chelsea-n, ndërmori një fushatë merkatoje të pashembullt deri në atë kohë, aq sa fajësohet për çrregullimin e merkatos në gjithë “Kontinentin e vjetër”.

Afroi e largoi disa trajnerë, por afroi për miliona euro e largoi për “një copë bukë” më shumë lojtarë. Sukseset mbërritën, por ato ishin poshtë pritshmërive të milionave të shpenzuar dhe klubi vit pas viti rezultonte me bilance negative, që shkuan deri në 200 milionë paund.

Lojtarët e Manchester City i gëzohen një goli të shënuar gjatë këtij sezoni

Monopolin e “dorëlëshuarit” në merkato do të humbte shpejt. Në Premier League u afruan ngadalë sheikët. Pas disa përvojave me skuadra të dorës së dytë, vendosën të “ngrinin stekën” dhe Mansour bin Zayed Al Nahyan, bleu Manchester City-n.

Shpenzimet fillestare për ngritjen e “Citizens” ishin modeste krahasuar me të ardhurat e perandorisë financiare që qëndronte pas klubit, ndaj edhe sukseset munguan. Por, gjërat do të ndryshonin me afrimin e Aguero & Co dhe trofetë e parë mbërritën. Goditjen përfundimtare e dha dy vite më parë, kur mori Guardiolan nga Bajerni i Mynihut. Trajnerit spanjoll iu la dorë e lirë në merkato dhe fond pa limit, që e shfrytëzoi në maksimum. Në Ettihad u shpenzuan vitin e kaluar 200 mln euro vetëm për mbrojtësit, një shifër e paimagjinueshme për çdo skuadër tjetër europiane.

Loja e shifrave u shndërrua me dy koka, por jo brenda Anglisë. Rivalitetin sheikët e Manchester City-t do ta gjenin nga “kushërinjtë” e tyre të PSG-së. Këta të fundit, pasi afruan lojtarë si Thiago Silva, Zlatan Ibrahimovic apo Marko Verrati, goditën në verën e vitit të kaluar me blerjen e Neymar për 222 milionë euro, një rekord absolut.

Në Francë PSG nuk njeh rivalë, por jashtë saj gjërat ndryshojnë. Barcelona, me jo pak sforcim është munduar që ta rivalizojë në merkato, me dy blerjet e bujshme, fillimisht Dembele e më pas Coutinho, që të dy rreth 240 mln euro në total.

Në Angli, Jose Mourinho do të shpenzonte 120 mln euro vetëm për afrimin e Paul Pogba nga Juventusi, ndërsa Liverpuli harxhoi 80 mln të tilla për marrjen e një mbrojtësi “normal” si Van Dijk.

Këto janë shifra transfertash, që nuk pasqyrojnë rrogat po aq të majme që përfitojnë lojtarët. Pikërisht këto rroga kanë bërë që në botën e futbollit sot “kurrë të mos thuhet kurrë”. Sot mungojnë deklaratat e sinqerta të dashurisë për fanelën dhe “urrejtjes” ndaj rivalit historik! Sot, futbollistët janë shndërruar në diplomatë dhe deklaratat janë standarde kudo. Të gjithë janë të familjarizuar me deklaratat e dashurisë të Zlatan Ibrahimoviç fillimisht në Torino për Juventusin, më pas në Milano për Interin, më vonë për Barcelonën e sërish në Milano, por këtë herë për rivalët e Interit, Milanin, e në fund për PSG-në.

E për ata që nuk i mbajnë mend ato, rasti më i freskët është Douglas Costa. Kur u transferua tek Bajerni nga Shakhtari i Donetskut tha se “kishte bërë zgjedhjen më të mirë në karrierën e tij dhe se do të vishte fanelën e një skuadre të madhe që e kishte në zemër”.

Por gjërat nuk shkuan siç ai i kishte parashikuar dhe drejtuesit bavarezë vendosën ta shisnin tek Juventusi. Fjalët e para të lëshuara prej tij ishin thuajse identike me ato që kishte thënë kur kaloi tek Bajerni.

Ky është futbolli i ditëve të sotme, futbolli i milionave që po venit gjithnjë e më shumë bërthamën e vërtetë të kësaj loje: pasionin.

Alessandro Lucarelli feston ringritjen e Parmës në Serinë A

Kundërshembuj ka, por ata po bëhen akoma më të rrallë. Totti ishe një i tillë, po ashtu edhe Xavi dhe Iniesta, e deri diku edhe Gigi Buffon, por që të gjithë të larguar ose drejt largimit. Shembulli më domethënës dhe më i freskët nuk mbërrin nga kategoritë elitare. Ai është Alessandro Lucarelli. Të premten ai festoi mbajtjen e një premtimi.

“I bëra Parmës një premtim. Thashë që do ta riktheja klubin sërish në Serinë A dhe e mbajta premtimin tim”, deklaroi ai i përlotur.

Ai ishte kapiteni kur Parma u rrëzua tre vite më parë si pasojë e falimentimit. Ishte i vetmi që nuk e braktisi anijen, por lundroi bashkë me të tjerët në ujërat e trazuar të kategorisë D, më vonë në Lega Pro dhe së fundmi në Serinë B deri në rikthimin në kategorinë elitare. Të gjithë këtë nuk e bëri për para, as se nuk kishte patur oferta, por për të mbajtur një premtim: ringritjen e skuadrës së tij të zemrës.

Futbolli sot është i ngopur me para, futbollit sot i duhen më shumë Alessandro Lucarelli!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë