Ngjarje

Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin! Spahiu: Paqe, begati e mirësi

Nga Gazeta ‘Si’- Qindra besimtarë myslimanë u mblodhën në orët e para të mëngjesit të së premtes në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë per faljen e namazit të Kurban Bajramit. Ceremonia nisi në orën 06:15 në një atmosferë përkushtimi shpirtëror.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu mbajti një fjalim të shkurtër duke theksuar rëndësinë e unitetit, dashurisë për njëri-tjetrit dhe ndihmës për ata në nevojë.

“Si rrallëherë, sot bashkohet dita më e bukur e javes, e xhumasë, me ditën më të bukur të vitit, atë të Kurban Bajramit, një gëzim i dyfishtë”, tha Spahiu. 

Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – Kurban Bayramë, që do të thotë “Festa e Flijimit”. Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë.

Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit. Kurban Bajrami është festa e mposhtjes së egos sonë, mposhtjen e nepsit që gjithmonë kërkon të jetë para. Akti i Kurbanit konsiston në therjen e një kafshe si flijim për të shënuar këtë rast në përkujtim të flijimit të Profetit Ibrahim për Zotin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë