Nga Gazeta Si- Besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë sot Fiter Bajramin, festa më e rëndësishme e këtij komuniteti, ose siç njihet ndryshe edhe Bajrami i Madh.
Pas një muaji agjërimi, besimtarët myslimanë kremtojnë sot festën. Mijëra prej tyre falën namazin në sheshin “Skënderbej”, nga ku kreu i Komunitetit Mysliman Bujar Spahiu u bëri thirrje të rinjve të mos e braktisin vendin.
“U bëj thirrje të rinjve, mos e braktisni vendin tonë. Rezistoni përballë çdo vështirësie. Prindërit, shoqëria, Shqipëri ka nevojë jetike për ju. Qëndroni në vendin tuaj dhe punoni për ta bërë atë më të mirë dhe më të begatë”, tha Spahiu.






Spahiu tha se familja shqiptare nuk po jeton ditët më të mira. Mesazhin e tij e përqendroi edhe tek dhuna në familjes, ku bëri thirrje që të ndalet dhuna ndaj grave, për të cilat tha se janë bërthama e familjes dhe shoqërisë.
“Koha në të cilën po jetojmë na ka vënë përballë sfidash të shumta. Familja nuk po përjeton ditët e saj më të mira. Dhuna brenda saj është një fenomen që të trazon shpirtin. Njerëzit që kanë humbur durimin i bëj thirrje që të ndalin agresivitetin dhe të qetësojnë shpirtrat e tyre duke u kthyer nga e mbara nga rruga e Zotit. Mos i prekni gratë, ato janë shpirti i bërthamës së shoqërisë, familjes. Po jetojmë në një kohë krize morale, që kërkon përkushtim, besim te zoti për t’ tejkaluar ato. Fenomene si migracioni dhe ulja e lindshmërisë po e mpakin familjen. Ti kushtojmë rëndësi bashkëpunimit e harmonisë, të punojmë për të ecur para që të bëjmë realitet ëndrrat e fëmijëve, ambiciet e rinisë, dëshirat e prindërve. Shoqëria ka nevojë për një familje të shëndetshme”, tha Spahia.






Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fitër Bajramit, pas 30 ditësh agjërimi në muajin e shenjtë të Ramazanit. Për besimtarët kjo ditë shënon shpërndarjen e lëmoshës, solidarizimin me të varfrit në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi ta gëzojnë së bashku këtë festë.
Bajrami u festua edhe në qytetet e tjera të vendit, ku besimtarët kryen faljen e namazit. Festimet vijojnë më pas me drekën e Bajramit e më pas me vizita mes miqve dhe të afërmve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




