Besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramin, festë e cila bëhet pas mbarimit të Muajit të Ramazanit. Pas ditëve të agjërimit mijëra besimtarë dhe besimtare u mblodhën që në orët e para të mëngjesit për faljen e namazit të Bajramit të organizuar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uroi besimtaret për paqe, lumturi dhe harmoni. ai ndër të tjera theksoi se kjo është dita e sheshimit të keqkuptimeve dhe faljes e tolerimit.
“Allahu ua pranoftë agjërimin, adhurimet dhe lutjet që kemi bërë gjatë këtij muaji të bekuar. Fitër Bajrami është ditë shprese, ditë gëzimi dhe solidarizimi. Bajrami është ftesa nga zemra në zemër, për të folur më shumë me njëri-tjetrin, për t’u dashur, për të sheshuar keqkuptimet, mosmarrëveshjet, mëritë dhe zënkat, për të falur e toleruar”, tha Spahiu në mesazhin për këtë festë.
“Le të heshtim në vend të fjalës së keqe, e kur të flasim, të flasim bukur! Le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, vëllazëri, miqësi dhe dashuri, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit”, shtoi më tej ai.
Në këtë ditë bie në sy atmosfera e ngrohtë mes besimtarëve. Pjesëmarrësit e shumtë janë përshëndetur dhe kanë ndarë me njëri-tjetrin gëzimin dhe emocionet e kësaj dite të madhe paqeje, mirësie e shpërblimi.
Fitër Bajrami është festa, e cila bëhet fill pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Gjatë ditës së Fitër Bajramit besimtarët myslimanë kryejnë vizita te të afërmit dhe miqtë e tyre, shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit për të qenë sa më të bashkuar në këtë festë.
Në këtë ditë feste nuk kanë munguar edhe mesazhet e urimit nga politikanët. Urime kanë marrë besimtarët nga kryeministri Edi Rama, kreu i PD-së, Basha, kreu i Kuvendit, Ruci, etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



















