Ngjarje

Besimtarët e krishterë festojnë Krishtlindjen. Mesazhi i Papës: Të kujdesemi për të tjerët, falni sa më shumë mirësi

Besimtarët e krishterë në të gjithë botën festojnë Krishtlindjen. Nata e 24 dhjetorit cilësohet ndryshe si “Nata e Shenjtë” ose “Nata e Mirë” pasi besimtarët përkujtojnë lindjen e Jezu Krishtit. Për besimtarët katolikë më me rëndësi është vigjilja e Krishtlindjeve gjatë mbrëmjes së 24 dhjetorit, ndërsa për ata ortodoksë ceremonia zhvillohet gjatë paradites së datës 25 dhjetor.

Në Tiranë mesha e Krishtlindjes është në Katedralen e Shën Palit, për të vazhduar deri pas mesnate. Ndërsa të hënën (25 dhjetor) mbahet mesha e Krishtlindjeve në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”.

Papa Françesku ndërsa ka uruar besimtarët për Krishtlindje është shprehur se “Duhet të kujdesemi për të tjerët me dashamirësi”.

“Të veprojmë me mirësi dhe dashur. Pa dhunë dhe pa cënuar lirinë. Mirësia e Zotit është ajo që ne duhet të përçojmë mes miqve, mes të dashurve, bashkëshortëve, prindërve, fëmijëve. Të jemi delikatë, të respektueshëm, të kujdesshëm me të tjerët. Në këto ditë duhet të mblidhemi nëpër kisha, të bëhemi bashkë në shtëpi, me të afërm apo miq që nuk I kemi parë prej kohësh, të dëgjojmë dhe vizitojmë njëri-tjetrin”, – tha në mesazhin e tij Papa Françesku.

Papa Françesku bëri thirrje edhe që lufta në botë të marrë fund.

“Ne jemi pranë vëllezërve dhe motrave tona që vuajnë nga lufta, mendojmë për Palestinën, Izraelin, Ukrainën. Ne mendojmë gjithashtu për ata që vuajnë nga varfëria, uria, skllavëria”, përfundoi Papa Françesku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë