Ngjarje

Besimtarët e krishterë festojnë Krishtlindjen, mesazhe për dashuri dhe paqe

Në të gjithë Shqipërinë, besimtarët e krishterë kanë festuar Krishtlindjen me darka familjare dhe meshën e shenjtë, që kryesisht mbahet në mesnatë.

Besimtarët katolikë u mblodhën në mesnatë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë për meshën tradicionale të Krishtlindjes, ndërsa për besimtarët ortodoksë, mesha e zhvillua mëngjesin e 25 dhjetorit në Katedralen Ringjallja e Krishtit.

Mesha e Shenjtë e Krishtlindjes u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij imzot Joani, bashkë me klerikë të kryepeshkopatës.

Besimtarët e shumtë që mbushën Katedralen, morën mesazhe shprese në ditën e lindjes së Jezu Krishtit.

Në urimin e tij, Kryepeshkop Joani tha se “ndërsa vazhdojmë të përgatitemi për festimin e Krishtlindjes, na ndihmon të kujtojmë se kjo festë e madhe nuk ka të bëjë vetëm me lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi”.

Kryepeshkopi shtoi se “për të festuar shpirtërisht Lindjen e Krishtit, le të kujdesemi gjatë këtyre ditëve festive të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e kësaj dhurate hyjnore. Këtë mund ta realizojmë duke e pastruar zemrën tonë nga çdo ligësi dhe duke e mbushur atë me dashuri dhe përulësi ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë”.

Qindra besimtarë katolikë ju bashkuan ritualit fetar të lindjes së Jezu Krishtit, në Katedralen e Shën Nikollit në qytetin e Lezhës.

Mesha e shenjtë e mbrëmjes të së mërkurës u drejtua nga Ipeshkvi i Lezhës, Monsinjor Otavio Vitale.

Në fjalën e tij para besimtarëve, ai foli për rëndësinë që ka Krishtlindja, duke vënë theksin tek paqja nëpër Botë dhe kryesisht në luftën Rusi-Ukrainë.

“Pse flasim për Paqe të cilën nuk e realizojmë dot por flasim vit pas viti për të. Nëse nuk ka vullnet të mirë nuk mund të ketë Paqe midis nesh në familjet tona dhe kombin tonë”, tha Monsinjor Otavio.

Ndërsa Dom Gjergj Meta nga katedralja e Rrëshenit u bëri thirrje të rinjve që të kthejnë sytë nga vendi i tyre dhe të kërkojnë ndihmë kur kanë nevojë.

“Të rinj, duhet të na kërkoni, edhe nëse ne nuk jemi pranë jush. Na kërkoni kur keni nevojë. Një mesazh kam edhe për emigrantët: Ju lutem mos i harroni prindërit e familjarët që keni këtu, kujtojini qoftë dhe vetëm me një mesazh”, tha Dom Gjergj Meta.

Qindra besimtarë morën pjesë në meshën e vigjiljes së Krishtlindjes, e cila u mbajt në Katedralen e Shkodrës.

Pas meshës ‘qielli’ i Shkodrës u ndriçua nga fishekzjarrët, teksa besimtarët shijuan spektaklin dhe uruan njëri-tjetrin për shëndet e mbarësi.

Në çdo Kishë mesazhi është i njëjtë: Dashuri dhe paqe në një botë të trazuar!

Krishtlindja është një nga festat më të rëndësishme të krishterimit dhe festohet çdo vit më 25 dhjetor nga të krishterët në mbarë botën. Kjo festë përkujton lindjen e Jezu Krishtit në Betlehem, një ngjarje themelore në doktrinën e krishterë, e cila shënon ardhjen e Birit të Perëndisë në botë për shpëtimin e njerëzimit.

Sipas Ungjijve, Jezusi lindi nga Virgjëresha Mari, në kushte të thjeshta, në një stallë, dhe u vizitua nga barinjtë dhe më pas nga dijetarët e Lindjes. Kjo lindje simbolizon përulësinë, paqen dhe dashurinë hyjnore, duke treguar se Perëndia iu afrua njerëzve jo me pushtet dhe madhështi, por me thjeshtësi dhe mëshirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë