Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë muajit prillit, të gjithë aktorët e ekonomisë u treguan optimistë në lidhje me zhvillimet në vend, duke e rritur treguesin e ndjesisë ekonomike me 1.1 pikë, nga muaji mars. Rënie shënoi vetëm sektori i shërbimeve.
Konsumatorët vijuan të jenë pozitivë edhe në prill, ku treguesi i besimit për to u rrit me 2.1 pikë përqindje ndikuar nga pritshmëritë pozitive për situatën e përgjithshme ekonomike, situatën financiare dhe blerjet në shuma të mëdha për të ardhmen. Gjithsesi ata presin rritje tjetër çmimesh, por edhe të punësimit.

Treguesi i besimit të industrisë pati rritjen më të madhe në prill, me 3.8 pikë përqindje, i ndikuar nga vlerësimet më optimiste për prodhimin aktual dhe për kërkesat. Pritjet e bizneseve të këtij sektori për prodhimin dhe për punësimin në të ardhmen janë rritur. Çmimet që këto biznese do të vendosin në të ardhmen nuk pritet të ndryshojnë.
Treguesi i besimit në ndërtim u rrit lehtë me 0.4 pikë përqindje në të njëjtin muaj ndikuar nga kërkesat. Por pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rënie.
Për bizneset në tregti, besimi u rrit me 1.2 pikë përqindje në prill, ndikuar nga kërkesa aktuale si dhe pritjet për punësimin. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan në rënie
Treguesi i besimit në shërbime qe i vetmi tregues që pësoi rënie, me 1.6 pikë përqindje, ndikuar nga kërkesa aktuale. Bizneset e shërbimeve presin tjetër rënie në punësim dhe çmime.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



