Treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 0.4 pikë në nëntor, ndikuar nga dobësimi i besimit në sektorin e shërbimeve dhe industrisë. Nga ana tjetër, rritja e besimit në sektorët e ndërtimit, të tregtisë dhe e besimit konsumator kontribuuan pozitivisht, duke zbutur rënien në total.
Sipas Bankës së Shqipërisë, besimi i sektorit të shërbimeve ra me 6.1 pikë përqindje, pas vlerësimeve në rënie të aktivitetit dhe kërkesën. Pritjet për nivelin e punësimit dhe ecurinë e çmimeve nëtë ardhmen janë rishikuar për poshtë.
Besimi në sektorin e industrisë ra me 0.9 p.p për shkak të një rënie të pritshme të kërkesës. Situata e prodhimit industrial aktual u vlerësua më pozitivisht duke zbutur ndikimin rënës të komponentit të parë. Bizneset vlerësojnë në rritje gjendjen e inventarëve. Pritjet për çmimet në të ardhmen nuk kanë ndryshuar.
Rënia e këtyre dy sektorëve është amortizuar nga një rritje e fortë e besimit në ekonomi nga ndërtuesit, me 5.1 p.p
Rritja u drejtua kryesisht nga vlerësimet më optimiste për aktivitetin aktual ndërtues. Gjithashtu, kontratat porositëse u vlerësuan me rritje këtë muaj. Pritjet për punësimin u rritën lehtë, ndërsa pritjet për çmimet në të ardhmen vijuan prirjen rënëse.
Treguesi i besimit në tregti u rrit me 2 p.p, ndikuar nga vlerësimi më optimist për ecurinë aktuale të biznesit. Pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen kanë vijuar të qëndrojnë shumë pranë nivelit të muajit të kaluar. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar me rënie këtë muaj.
Besimi i konsumatorëve u rrit me 2.3 pikë përqindje në muajin nëntor duke reflektuar kryesisht pritjet më optimiste për situatën e përgjithshme të ekonomisë në të ardhmen dhe për blerjet në shuma të mëdha. Edhe pritjet për gjendjen e tyre financiare janë vlerësuar me rritje të lehtë këtë muaj. Pritjet e konsumatorëve për çmimet në të ardhmen janë rritur në muajin nëntor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.