Ekonomi

BERZH ul me 0.3% parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka rishikuar me ulje pritshmërinë për rritjen ekonomike të Shqipërisë në projeksionet e vjeshtës.  

Sipas BERZH ekonomia e Shqipërisë pritet të zgjerohet në 3% në vitin 2023, duke u ulur me 0.3% më pak se projeksionet e pranverës në maj.

Rishikimi më ulje erdhi si rezultat i çmimeve të energjisë, gazit dhe naftës, përtej parashikimeve të pranverës 2022, sipas raportit të Perspektivave Ekonomike Rajonale, të titulluar “Një dimër i ftohtë përpara?”

Çmimet e gazit në Europë aktualisht janë rreth 2.5 herë më të larta se, nivelet e vitit 2021 dhe Inflacioni në rajonet e BERZH-it arriti në 16.5 për qind në korrik.

“Reduktimi i furnizimeve me gaz nga Rusia dhe rritja e inflacionit në mbarë botën do të ngadalësojnë më tej rritjen ekonomike edhe vitin e ardhshëm në rajonet ku punon Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ecuria ekonomike e vendeve në zhvillim mund të jetë edhe më negative nëse lufta e Rusisë ndaj Ukrainës përshkallëzohet ose vëllimi i eksporteve të saj të gazit bie edhe më shumë”, shkruhet në raport.

Prodhimi në rajonet e BERZH këtë vit pritet të rritet me 2.3 për qind, pasi konsumatorët e vendeve në zhvillim në Europë kaluan një kulm shpenzimesh pas pandemisë në gjysmën e parë të vitit.

Kryeekonomistja e BERZH-it Beata Javorcik tha: “Këto janë kohë shumë shqetësuese për rajonet e BERZH-it dhe shumë ekonomi të përparuara. Ndërsa shkojmë drejt dimrit, kostoja ekonomike e luftës së Rusisë kundër Ukrainës po bëhet më e qartë me çdo ditë që kalon. Inflacioni mund të mos ketë arritur kulmin në rajonet e BERZH-it, pasi në shumë vende, rritja e kostove të prodhimit dhe çmimet e larta të gazit natyror nuk janë reflektuar ende plotësisht në çmimet e konsumit.”

Raporti përshkruan një portret të zymtë të ndikimit të luftës në tregjet e energjisë, inflacionin dhe ekonomitë e rajoneve të BERZH-it.

Energjia dhe ushqimi zakonisht zënë një peshë më të lartë të konsumit të familjeve më të varfra, të cilat po përjetojnë norma edhe më të larta efektive të inflacionit. Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës do të bëjë që ekonomia e kësaj të fundit të tkurret me 30 për qind këtë vit, parashikon Banka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë