Nga Gazeta ‘SI’ – Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka rritur parashikimin për ecurinë ekonomike të Shqipërisë.
Në raportin e shtatorit BERZH parashikon rritje ekonomike të Shqipërisë me 3.5% nga 3.3% që parashikonte në maj. Rritja thotë BERZH do të ndikohet nga sezoni i fortë turistik dhe shërbimet, që përveç se në Shqipëri ndikojnë ekonominë e të gjithë rajonit.
Për 2025-n, ekonomia e vendit do të rritet me 3.7% sipas parashikimit.
Ekonomia e Ballkanit Perëndimor do të rritet me 3.4% për këtë vit dhe 3.7% për 2025-n, thotë BERZH. BERZH nënvizon se zbatimi i mëtejshëm i reformave strukturore, të mbështetura nga Plani i Rritjes Ekonomike për BP mund ta nxisin më tepër rritjen ekonomike.
Kosova pritet të ketë rritjen më të lartë të lartë të ekonomisë në rajon dhe parashikohet të arrijë në 4% këtë vit dhe të ruajë këtë bilanc deri në vitin 2025. Konsumi i lartë dhe investimet e huaja direkte kontribuan në këtë rritje, ndërsa situata gjeopolitike mund të ndikojë flukset tregtare dhe disponueshmërinë e fondeve ndërkombëtare në vijim.
Nga ana tjetër, ekonomia e Serbisë dhe Malit të Zi pritet të kenë një rritje prej 3.8%, ndjekur nga Bosnje Herzegovina me 2.8% dhe Maqedonia e Veriut me rritjen më të vogël prej 2.2%. Sipas BERZH-it, investimet e reja, qëndrueshmëria fiskale dhe monetare në Serbi, si dhe rritja e konsumit në Malin e Zi kanë kontribuar në rritjet përkatëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.