Sipas pritshmërive të reja të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ritmet e rritjes së ekonomisë do të tejkalojnë me 1% ato të vitit 2019, duke u rritur me 4.5%.
Në Rajon rimet më të larta të rritjes këtë vit do t’i ketë ekonomia e Malit të zi me 8.5%, për shkak të rënies së madhe të vitit të kaluar me -15.2%, ekonomia e Serbisë do të zgjerohet me 6%, ekonomia e Maqedonisë me 4%, e Kosovës 4%, ndërsa ekonomia e Bosnjës me 3.5%.

Sipas të dhënave kombëtare të publikuara një ditë më parë nga INSTAT, ekonomia e vendit tonë u rrit me 5.3% në tremujorin e parë të vitit , me ritme më të larta se parashikimi i BERZH.
BERZH u tregua me optimiste në parashikimet e reja duke korrigjuar me rritje në 4.2 % ritmet e rritjes në vendet në zhvillim (Europën Lindore, Azinë Qendrore dhe Afrikën Veriore), nga 3.6% që ishin parashikimet në tetor të vitit 2020.
Për 2022, BERZH pret zgjerim te mëtejshëm me 3.9% rritje, ndërsa për Shqipërinë parashikon një rritje 4% vitin që vjen. Tkurrja e prodhimit në vitin 2020 ishte me e butë sesa ishte parashikuar me parë pas përmirësimeve ne mjedisin e përgjithshëm ekonomik në fund të vitit të kaluar për shkak të eksporteve të forta dhe mbështetjes fiskale.
“Megjithëse parashikimet e rishikuara japin arsye për të qenë optimiste, mbetet një pasiguri e madhe me rrugën e variantit të ri të Covid-19, “Delta” qe paraqet rreziqe veçanërisht të mëdha për vendet që kanë bërë më pak përparim me vaksinimet dhe për ekonomitë e varura shumë nga turizmi ndërkombëtar. Pamja për vitin 2020 është e larmishme. Ndërsa disa vende në Europën Qendrore dhe vendet Baltikë paraqiten mirë krahasuar me shumë ekonomi të përparuara europiane falë një reagimi të fortë në eksportet e mallrave”, thuhet në deklaratën e BERZH.
Parashikimi për turizmin ndërkombëtar mbetet i pasigurt për shkak të masave kufizuese, duke bërë që ekonomitë e varura nga turizmi të vazhdojnë te vuajnë pasojat.
Dobësitë fiskale janë rritur pasi paketat stimuluese kanë rritur borxhin publik në rajonet e BERZH me një mesatare prej 11 pikë përqindje te PBB-se. Në shumë ekonomi, borxhi publik tani është në nivele që janë parë për herë të fundit gjatë recesionit në tranzicionin e fillimit të viteve 1990 dhe mund të rritet me tej.
Ndërsa falimentimet deri me tani kanë mbetur të përmbajtura për shkak të mbështetjes së gjerë nga paketat e ndihmës, dobësitë mund të shfaqen kur tërheqin masat e mbështetjes së qeverisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje