Ekonomi

BERZH rishikon në ulje projeksionin për ekonominë e Shqipërisë

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, ka ulur parashikimin e saj për ekonominë shqiptare.

Sipas raportit të fundit, ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 3.5% për 2025-n dhe 2026-n, me ulje 0.2% nga parashikimi i bërë në fillim të këtij viti.

BERZH thekson se Shqipëria mund të rrezikohet nga një rënie e kërkesës nga vendet e euros, një reduktim të dërgesave të emigrantëve dhe në rast se turizmi, që ka kapur shifra rekord në dy vitet e fundit, nis të ngadalësohet.  

Moti i thatë mund të ndikojë negativisht në prodhimin e energjisë dhe të çojë në importe më të larta të energjisë elektrike, megjithëse këto rreziqe zbuten duke rritur prodhimin nga burimet alternative të rinovueshme.

Rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë vitit 2024 ishte 4%, mbështetur nga sektori i shërbimeve, kryesisht turizmi dhe ndërtimit, ndërsa prodhimi industrial dhe bujqësor mbetet në rënie. Në anën e shpenzimeve, konsumi privat dhe investimet publike ishin drejtuesite kryesorë të rritjes ndërkohë që eksportet ishin në rënie duke rritur deficitin.

Inflacioni ra mesatarisht në 2.2% në vitin 2024 nga 4.8% në 2023, duke i lejuar Bankës së Shqipërisë të ulë normën bazë nga 3.25% në fillim të 2024 në 2.75%. Sektori financiar ka mbetur i qëndrueshëm, me rritje të aktivitetit kreditues. Rreziqet pozitive vijnë nga vazhdimi i pritshëm i reformave strukturore, një angazhim i fortë për pranimin në BE dhe aksesi i mundshëm në financim nga BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë