Kosova

Bërnabiç në Mitrovicën e Veriut: Interes i Serbisë është paqja

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç tha se nga Mitrovica e Veriut, ku po qëndron për vizitë, dëshiron të përçojë mesazhe të paqes, stabilitetit dhe tolerancës.

Ajo tha se autoritetet nga Serbia, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiç, do të jenë gjithmonë me komunitetin serb në Kosovë dhe shtoi se është e lumtur që ndodhet në Kosovë “në një moment kaq të vështirë”.

“Jam e lumtur që edhe pas provokimeve të fundit, të 31 korrikut, arritëm ta ruajmë paqen. Interes i Republikës së Serbisë dhe popullit serb është paqja dhe stabiliteti”, tha Bërnabiç.

Kryeministrja e Serbisë shtoi se vendi i saj do të vazhdojë të luftojë për popullin serb në Kosovë, në mënyrë që përmirësimi i kushteve të jetesës të shihet në terren.

Përfaqësuesit e Listë Serbe duke pritur kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabic

Ajo theksoi se tani është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tha se një gjë të tillë do ta përsërisë kudo që të shkojë – nga Mitrovica në Bruksel e Pekin.

“Në këtë do të vazhdojmë të këmbëngulim çdo ditë”, tha Bërnabiç.

Bërnabiç arriti paraditen e së hënës në Mitrovicë të Veriut, ku u prit nga përfaqësues të Listës Serbe – subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës – si dhe nga përfaqësues të institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë.

Paraprakisht u mblodhën edhe punonjës të institucioneve që financohen nga buxheti i shtetit serb. Ata mbanin në duar pankarta me fjalë përkrahëse, të tilla si: “Derisa e kemi [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiç dhe Anën tonë, ne nuk i druhemi asgjëje”.

Pankartat e punonjësve të institucioneve

Kjo është vizita e parë e Bërnabiçit në Kosovë prej se është zgjedhur kryetare e Qeverisë serbe, në vitin 2017.

Gjatë qëndrimit njëditor, ajo do të vizitojë komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviç – ku popullata shumicë është serbe.

Vizita e Bërnabiçit në komunat veriore të Kosovës vjen pasi Prishtina dhe Beogradi ranë dakord për shfuqizimin e dokumenteve hyrëse-dalëse, të cilat Serbia ua lëshonte qytetarëve të Kosovës qysh në vitin 2011.

Kur Qeveria e Kosovës ndërmori masa reciproke nga 1 gushti, disa serbë lokalë në veri u rebeluan dhe ngritën barrikada, për t’i penguar autoritetet në zbatimin e vendimit të tyre. Për shkak të rritjes së tensioneve, Prishtina zyrtare e shtyu zbatimin e atij vendimi për 30 ditë.

Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërhynë, duke biseduar me palët si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë